Teksa hetimet për vrasjen e mbrëmshme (24 Gusht) në “Astir” po vijojnë me intensitet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, për të zbuluar dinamikën dhe motivet, ka dhënë dëshminë e parë në prani të hetuesve edhe i dyshuari i prangosur, Darmend Keli, 25 vjeç.
Pas një sherri me motive të dobëta, për shkak të ngacmimit të të dashurës së autorit të dyshuar, mbeti i vrarë me 4 goditje thike në trup (dy në gjoks dhe dy në këmbë), 34 -vjeçari Amarildo Hoxhallari, një emër i njohur për organet ligjzbatuese, për shkak të precedentit të vitit 2015, kur u akuzua bashkë me kushëririn Aurel (Altin) Hoxhallari, në kërkim, për organizimin e atentatit të dështuar ndaj Pajtim Serjanit, te “Rruga e Kavajës”.
Keli ka rrëfyer dhe këmbëngulur se se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës së tij (e dashura), që denigroi situatën dhe ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon, pashë që një motor po e ndiqte dhe personi po fliste duke e ndjekur paralel makinën. I fola nga ballkoni dhe më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi fizikisht. Pas përplasjes me të, në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia, në gjaknxehtësi dhe sipër. Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar, nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”, ka dëshmuar ai ndër të tjera, duke u mbrojtur.
Policia e arrestoi minuta pas krimit dhe sekuestroi sende si prova materiale, teksa çështja ndiqet nga Prokuroria, momentalisht me akuzën “vrasja me dashje” dhe “mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.