Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Do heqim vizat me SHBA-të që mandatin e parë


Kreu i Partisë Demokratike ka premtuar fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-të, madje ai thotë se “kur të vijë” në pushtet do heqë edhe vizat.

Premtimet, Basha i bëri në vijim të prezantimit të tij të pikave të programit të ri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ne i konsiderojmë marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thelbësore.

Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vijojë të përbëjë një përparësi kryesore të politikës sonë të jashtme.

1.Ashtu siç hoqëm vizat në zonën Shengen, angazhohemi për Heqjen e Vizave me SHBA brenda mandatit të parë qeverisës;

2.Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe vendet anëtare të BE do të njohin një dimension të ri në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë;

4.Ashtu si anëtarësimi në NATO, ne vlerësojmë se Integrimi Europian është një prioritet kombëtar. Integrimi Europian sot është jo vetëm një çështje standardesh modernizuese të shtetit, por dhe një çështje sigurie në mbrojtje të hapësirës së vlerave të botës demokratike ku duam të bëjmë pjesë;

5.Ne do të mbështesim të gjitha nismat rajonale që synojnë integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe do të mbështesim totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE;

6.Partia Demokratike ka si çështje prioritare në politikën e saj të jashtme interesat shqiptare në rajon;

7.Mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe konsolidimi i shtetit demokratik në Kosovë është një prioritet përcaktues në politikën tonë të jashtme, në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon e më gjerë;

8.Ne do të mbështesim konsolidimin e faktorëve politikë shqiptar dhe do të nxisim fuqizimin e përfaqësimit institucional të këtyre faktorëve në vendet fqinje;

9.Do të bëjmë gjithçka në mbështetje të ruajtjes së gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes ngritjes së Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare, me një rrjet filialesh në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët në botë”-deklaroi Basha.