Kreu i qeverisë, Edi Rama në konferencën e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” e cila hapi sot punimet në Tiranë, ka folur për një marrëdhënie të re me shtetet si Indonezia apo Filipinet, që sipas tij në këto vende po trokasin edhe anëtaret e BE për fuqi punëtore.
Sipas kryeministrit Rama, këtu dy vende kanë një interes të madh për Shqipërinë për punëtorë.
‘Radha është shumë e gjatë– tha Rama– por duke qenë një vend i vogël duke arritur të kultivojnë sic duhet raportet që përcaktojnë edhe shkallën e vëmendjes ndaj vendeve më të vogla, besoj se do bëjmë kapërcime të radhës’
“Sigurisht që hapësira e Bashkimit Europian është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tona tregtare dhe të biznesit, investimeve dhe kështu me radhë, por mos harrojmë që kemi miq dhe miqësi të mira nga të cilat në këto vite i kemi forcuar ndjeshëm dhe prej të cilave ne duhet të kërkojmë më shumë.
Në radhë të parë nga vetja, me Emiratet e Bashkuara, me Arabinë Saudite, me Azerbajxhanin që janë tre vende që ushqejnë ndjenja miqësore dhe që kanë interes për të forcuar marrëdhëniet me ne, dhe patjetër me Kuvajtin që është një mik nga kohët më të vjetra për shkaqe historike që i dini dhe me Katarin. Dhe nga ana tjetër, kemi arsye të qenësishme jo vetëm për të besuar, por edhe për të investuar në hapjen e dyerve të misioneve tona të reja, qoftë në Indonezi, për të mbuluar gjithë atë pellg atje. Me Indonezinë kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial shumë të madh dhe mbi të gjitha që ka një interes shumë të madh për ne, ashtu si dhe marrëdhëniet me Filipinet, pasi të gjitha vendet e Bashkimit Europian sot, janë duke trokitur në ato dyer për forca të reja pune dhe kjo marrëdhënie shumë e rëndësishme, radha aty është shumë e gjatë, po duke qene një vend i vogël, nëse do të arrijmë të kultivojmë si duhet raportet që përcaktojnë në fund të fundit edhe shkallën e vëmendjes ndaj vendeve më të vogla, besoj që do të bëjmë kapërcime të radhës. Dhe po ashtu, në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe po unë besoj që është e drejtë që të hapim derën e parë në Kenia. Na duhet për shumë arsye, por edhe në mos për të tjera, për një arsye të thjeshtë fare që është dhe detyra që ne kemi dhe roli që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Rama në hapjen e konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.