Kompanitë më të mëdha në botë të hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes pritet të fitojnë nivele rekord parash gjatë tre viteve të ardhshme, teksa po përfitojnë nga një rritje e porosive qeveritare për armë mes tensioneve në rritje gjeopolitike.
15 kontraktorët kryesorë të mbrojtjes parashikohet të regjistrojnë të ardhura prej 52 miliardë dollarësh në vitin 2026, sipas analizës nga “Vertical Research Partners” për Financial Times – pothuajse dyfishi i fitimit të parave në fund të 2021.
Pesë kontraktorët kryesorë të mbrojtjes amerikane parashikohet të prodhjnë një rrjedhë parash prej 26 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2026, më shumë se dyfishi i shumës në vitin 2021. Shifrat përjashtojnë Boeing-un, duke pasur parasysh problemet e tij të fundit dhe peshën e madhe ndaj hapësirës ajrore civile.
Në Evropë, kampionët vendas BAE Systems, Rheinmetall dhe Saab, të cilët kanë përfituar nga kontratat e reja për municione dhe raketa, pritet të kenë një rritje të kombinuar të rrjedhës së parave me më shumë se 40 për qind.
Industria po përfiton nga një rritje e mprehtë e shpenzimeve ushtarake pasi qeveritë rrisin buxhetet e tyre në përgjigje të pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë dhe përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Në SHBA, faturat e fundit të ndihmës për Ukrainën, Tajvanin dhe Izraelin ndanë gati 13 miliardë dollarë për prodhimin e armëve në pesë grupet më të mëdha të mbrojtjes të Amerikës – Lockheed Martin, RTX, Northrop Grumman, Boeing dhe General Dynamics si dhe furnizuesit e tyre. Në Mbretërinë e Bashkuar, Ministria e Mbrojtjes ka akorduar 7.6 miliardë paund për ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë tre viteve të fundit, duke përfshirë rimbushjen e rezervave.
Rritja e shpenzimeve qeveritare ka çuar tashmë llogaritë e porosive në nivele afër rekordeve. Zakonisht duhen disa vite që kontratat e reja të përkthehen në shitje më të larta – kompanitë e mbrojtjes rezervojnë pjesën më të madhe të shitjeve të tyre pasi të dorëzohen armët – por rrjedhjet në rritje të parave tashmë po nxisin debatin se si industria do t’i shpenzojë paratë.
“Është pyetja 1 miliard dollarëshe për industrinë: kompanive zakonisht nuk u pëlqen të mbajnë sasi të mëdha parash në bilancet e tyre, kështu që çfarë bëjnë me gjithë ato para nëse blerjet nuk janë aq të drejtpërdrejta? Blerjet e aksioneve dhe dividentët janë një mënyrë,” tha Robert Stallard, analist në Vertical Research.
Kompanitë kishin drejtuar tashmë miliarda dollarë në blerjen e aksioneve përpara vërshimit të fundit të porosive të reja; disa morën fuqi shtesë për ta bërë këtë. Viti i kaluar ishte më i forti për blerjet nga kompanitë e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes si në SHBA ashtu edhe në Evropë për pesë vitet e fundit, sipas të dhënave nga Banka e Amerikës, megjithëse nivelet mbeten shumë më poshtë se ato të sektorëve të tjerë.
Lockheed Martin dhe RTX blenë afër 19 miliardë dollarë aksione mes tyre vitin e kaluar. Në Evropë, BAE Systems këtë verë përfundoi një program tre-vjeçar 1.5 miliardë stërlina dhe filloi menjëherë një blerje të mëtejshme prej 1.5 miliardë stërlinash.
Riblerjet e mëdha duke përdorur paratë e taksapaguesve nga kontraktorët amerikanë kanë nxitur kritika mes disa ligjvënësve të cilët kanë vënë në pikëpyetje nëse kompanitë po investojnë mjaftueshëm në objekte dhe prodhime të reja. Ekzekutivët kanë këmbëngulur se po rrisin shpenzimet kapitale edhe pse u kthejnë paratë investitorëve.
Kompanitë gjithashtu do kërkojnë më shumë marrëveshje, thanë analistët, ndërsa paralajmëruan se blerjet e mëdha do kufizoheshin nga shqetësimet rregullatore për konkurrencën.
Rheinmetall në fillim të këtij muaji njoftoi një marrëveshje prej 950 milionë dollarësh për prodhuesin e pjesëve të automjeteve ushtarake me bazë në Michigan, Loc Performance. Kontraktori gjerman tha se marrëveshja do rriste undësitë e tij për të fituar kontrata të Ushtrisë Amerikane për automjete luftarake dhe kamionë me vlerë më shumë se 60 miliardë dollarë.
Armin Papperger, shefi ekzekutiv, u tha analistëve se rregullat e ushtrisë amerikane dhe urdhrat e saj e bënë të vlefshme përshtatjen me kërkesat strikte të vendit për kontraktorët e huaj të mbrojtjes, të tilla si mbajtja e një strukture të veçantë korporative me menaxhim paralel dhe prodhim vendas.
“Edhe nëse nuk kapim një nga peshqit e mëdhenj, ne do të kapim peshq më të vegjël dhe peshqit e vegjël vlejnë miliarda në Shtetet e Bashkuara,” tha ai.
Analistët në BSH vunë në dukje se ndërsa Rheinmetall nuk kishte vendosur ende se si të financonte marrëveshjen, ajo kishte para të mjaftueshme, si dhe linja krediti në dispozicion për të ecur përpara, duke shtuar se kompania priste ta mbyllte vitin me një pozicion monetar prej rreth 1 miliard eurosh.
Të tjerat që kanë bërë marrëveshje në Amerikën e Veriut së fundmi përfshijnë Renk, prodhuesi i kutive të ingranazheve të tankeve që së fundi u rendit pjesërisht në Bursën e Frankfurtit, i cili vitin e kaluar bleu prodhuesin kanadez të përbërësve General Kinetics.
Czechoslovak Group ka bërë një ofertë për biznesin e municioneve të Vista Outdoor të Amerikës. BAE Systems verën e kaluar pagoi 5.6 miliardë dollarë për Ball Aerospace, një furnizues i sistemeve hapësinore. Ajo financoi marrëveshjen përmes parave ekzistuese dhe borxhit të ri të jashtëm.
Pritet më shumë veprimtari në industrinë hapësinore gjithnjë e më konkurruese të Evropës. Airbus, Thales dhe Leonardo po shikojnë të bashkojnë disa nga veprimtaritë e tyre hapësinore. Ambicia do ishte krijimi i një aleance pan-evropiane në hapësirë të ngjashme me atë të MBDA, kampionit të raketave të Evropës, kanë thënë njerëz të njohur me bisedimet.
Perspektiva e një konsolidimi në shkallë më të gjerë nuk ka gjasa duke pasur parasysh shqetësimet e konkurrencës.
Ndërsa shpenzimet e mbrojtjes ka të ngjarë të mbeten të forta gjatë viteve të ardhshme, kërcimi i fundit i kërkesave ndoshta do zvogëlohet, veçanërisht pasi të përfundojë lufta në Ukrainë.