Vendosni fjalën kyçe....

KAS rrëzon kërkesën e opozitës për Himarën, lë në fuqi fitoren e Vangjel Tavos


Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen të pavlefshme të votimeve të Himarës më 4 gusht.

Koalicioni “Bashkëfitojmë” kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe  përsëritjen e tyre me pretendimin se në lista ishin shtuar 311 votues ndërsa 560 votuesve u është mohuar e drejta e votës. SIpas KAS, në 36 kuti të hapura, nuk ishin vërejtur parregullsi dhe mospërputhje.

“Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore, ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës, kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave.” – tha përfaqësuesi i PD-së.

Përfaqësuesi i PS-së nga ana tjetër tha se pavarësisht se nuk kishte bazë ligjore për hapjen e kutive, KAS i hapi ato duke mos gjetur asnjë shkelje.

“Shumë mirë që u hapën kutitë, të paktën kështu mbyllet njëherë e mirë debati mbi Himarën. Nga hapja e kutive nuk kemi asnjë shkelje të evidentuar, qendër për qendër.” – tha ai.

Në zgjedhjet lokale të Himarës, që u përsëritën pas dënimit të kandidatit të opozitës Fredi Beleri, u shpall fitues Vangjel Tavo i PS-së që mori 1477 vota më shumë se Petro Gjikuria i opozitës.