Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria anëtare e BE-së deri në vitin 2030” – Rama


Kryeministri Rama tha se Shqipëria synon të jetë anëtare e BE-së deri në vitin 2030.

Ai e shpalosi objektivin e tij gjatë konferencës “Tirana Diplo 2024” teksa shtoi se procesi ka etapat e tij dhe se duhet shumë punë e reforma për ta realizuar këtë gjë.

“Trupi ynë diplomatik duhet të ngjitet në një nivel të ri. Kjo është plotësisht e mundur duke shfrytëzuar eksperiencën që ka, shembujt e shkëlqyer që janë përfaqësues të këtij komuniteti, por edhe elementin transformues të Shqipërisë. Sot Shqipëria është një magnet që tërheq vizitorë nga e gjithë Bota. Vitin e kaluar tërhoqëm 10 milionë turistë, këtë vit shifra do të jetë edhe më e lartë, dhe kjo është një e dhënë që shoqërohet me rritjen e ekonomisë, me rritjen e të ardhurave, me rritjen e pagave. Kemi 10 mijë biznese të reja në Shqipëri referuar shifrave të 6-mujorit, kemi rritje të investimeve të huaja me 15 % vetëm në 3-mujorin e parë të vitit, kemi rritjen e numrit të të punësuarve. Duhet të nxisim çdo energji që e bën Rajonin sa më bashkëpunues, që e bën më të ndjeshëm ndaj së ardhmes dhe sa më pak ndaj të shkuarës. Ne duhet ta lexojmë të shkuarën me sytë e së ardhmes dhe kjo është pika kyçe mbi të cilën ne ngremë marrëdhëniet me vendet e rajonit.” – tha kreu i qeverisë.