Tre muaj pasi një balonë spiune kineze fluturoi mbi SHBA, duke i çuar marrëdhëniet me Pekinin në pikën më të ulët që nga vendosja e lidhjeve diplomatike në 1979, Jake Sullivan filloi misionin e tij të fshehtë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së fluturoi në Vjenë më 10 maj 2023 për një takim shumë të rëndësishëm – një takim që do mbahej në një lloj mënyre klandestine në përputhje me reputacionin historik të kryeqytetit austriak.
Sullivan ishte në Vjenë për të takuar Wang Yi, një diplomat veteran kinez, i cili ishte bërë zyrtari më i lartë i politikës së jashtme të vendit të tij në janar. Pas shtrëngimeve të duarve dhe një fotografie në grup, dy skuadrat filluan një seri bisedimesh në “Hotel Imperial” që zgjatën më shumë se tetë orë në dy ditë.
Ishte e para nga disa takime sekrete në mbarë botën, duke përfshirë Maltën dhe Tajlandën, që tani quhet “kanali strategjik”. Sullivan do mbërrijë në Pekin të martën për një tur tjetër bisedimesh me Ëang në atë që do jetë vizita e tij e parë në Kinë si këshilltar për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Kanali ka luajtur një rol jetik në menaxhimin e marrëdhënieve midis superfuqive rivale gjatë një periudhe të mbushur me tensione. Në një kohë kur SHBA-ja është konsumuar nga ideja e konkurrencës me Kinën dhe Pekini mund të zhvendoset befas mes besimit suprem dhe paranojës për pozitën e tij në botë, kanali ka qenë një amortizues që zyrtarët thonë se ka ndihmuar në uljen e rrezikut të një llogaritjeje të gabuar nga dy kombet.
Ndërsa kanali i pasmë nuk i ka zgjidhur çështjet themelore midis superfuqive rivale, thotë Rorry Daniels, një ekspert i Kinës në Institutin e Politikave të Shoqërisë së Azisë, ai ka ndihmuar secilin të kuptojë tjetrin.
“Ka qenë shumë i suksesshëm në stabilizimin afatshkurtër, duke komunikuar linjat e kuqe të secilës dhe duke parë veprimet që mund të shihen si të dëmshme për palën tjetër,” thotë ajo.
Bazuar në intervistat me zyrtarë amerikanë dhe kinezë, FT është në gjendje të rrëfejë se si lindi ky kanal diplomatik – dhe hollësitë se si funksionoi.
Tensionet dhe ajo që ishte në lojë në Vjenë ishte jashtëzakonisht me rëndësi. Episodi i balonës ishte vetëm një nga shumë ngjarjet që i kishin çuar marrëdhëniet në zgrip. Kina ishte e zemëruar për kontrollet e eksporteve të SHBA-së mbi gjysmëpërçuesit, ndërsa Uashingtoni ishte i zemëruar që Kina dukej se po ofronte mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Të gjitha çështjet u mblodhën në sfondin e temës më të ndjeshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë: Tajvanin. Vitet e fundit, Kina ka rritur veprimtarinë e saj ushtarake rreth ishullit që e konsideron territor sovran, duke shkaktuar shqetësim në SHBA. Ndërkohë, përpjekjet amerikane për të armatosur vendin dhe për të stërvitur ushtrinë e tij kanë zemëruar Pekinin.
Tensionet u ndezën në gusht të vitit 2022 kur Nancy Pelosi u bë kryetarja e parë e Kongresit që vizitoi Tajvanin në 25 vjet. Kina u përgjigj me stërvitje masive ushtarake dhe lëshoi raketa balistike mbi ishull për herë të parë.
Sullivan ishte i ndërgjegjshëm për ngjarjet e fundit ndërsa përgatitej për takimin, i cili do përfshinte darkën në “Hotel Sacher”, të ftuarit e të cilit në të shkuarën kanë përfshirë Presidentin John F Kennedy, Mbretëreshën Elizabeth II dhe Graham Greene, autor i tregimit me spiunazh “The Third Man”.
“Ajo që po kalonte në mendjen e Jake ishte në thelb se ne duhet të mbledhim gjithçka që ka ardhur më parë dhe të themi, “Në rregull, si mund të përcaktojmë në të vërtetë një rrugë që na çon në një trajektore të qëndrueshme”, ndërsa në të njëjtën kohë duke mos lëshuar asnjë centimetër për gjërat që ne këmbëngulim të bëjmë sepse ato janë në interesin tonë”, thotë një zyrtar amerikan për Financial Times.
Vjena u zgjodh sepse ishte e barablarguar nga Uashingtoni dhe Pekini dhe një qytet ku zyrtarët mund të takoheshin pa tërhequr shumë vëmendje.
“Na dukej misterioze dhe intriguese”, thotë një zyrtar i dytë amerikan.
Ishte gjithashtu një zgjedhje interesante duke pasur parasysh reputacionin e saj si një parajsë për spiunët gjatë viteve.
“Jam i sigurt se kishte shumë njerëz të tjerë në atë hotel,” shton zyrtari duke buzëqeshur.
Të dy palët e mbajtën të mbyllur takimin duke qëndruar kryesisht brenda hotelit.
“Është krejt bazike. Fluturon, shkon me makinë në hotel, futesh në dhomë, ulesh aty për orë të tëra”, thotë zyrtari i parë amerikan.
“Nuk ka shëtitje në Vjenë, në Maltë apo në Bangkok…Është mënyra më pak magjepsëse për të parë botën.”
Por ata nuk ishin në Vjenë për të vizituar ndonjë gjë. Ata kishin për detyrë të përpiqeshin të stabilizonin marrëdhënien më të rëndësishme dypalëshe në botë. Gjashtë muaj më parë, Presidenti Joe Biden dhe Presidenti Xi Jinping kishin rënë dakord të krijonin një kanal strategjik kur u takuan në G20 në Bali, Indonezi. Ata donin të vendosnin një “taban” nën marrëdhënien e tensionuar për ta ndaluar atë të zhytej më tej. Por brenda disa muajsh, plani ishte prishur nga saga e balonave.
Vjena ishte një mundësi për të tentuar një ripajtim. Por ishte e paqartë nëse Wang do pajtohej, pjesërisht për shkak të një shkëmbimi të zemëruar rreth Ukrainës me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në Mynih muaj më parë.
“Ne nuk ishim të sigurt që kinezët do thoshin po,” thotë zyrtari i dytë.
Kanali u krijua për të lehtësuar llojin e diskutimeve të thella që janë më të vështira gjatë vizitave të profilit të lartë. Uashingtoni ka përdorur më parë këshilltarë të sigurisë kombëtare për misione të ndjeshme të lidhura me Kinën, duke përfshirë kur presidenti George H.W. Bush dërgoi Brent Scowcroft në Pekin në vitin 1989 pas masakrës në Sheshin Tiananmen.
Koreografia në Vjenë përfshinte darkën, e cila ishte e kufizuar në katër zyrtarë nga secila anë për të krijuar një mjedis që do t’i mundësonte çiftit qendror të kishte një diskutim të vërtetë dhe jo një shkëmbim pikash.
Kishte disa çaste të lehta.
“Ne do të flisnim për udhëtime, sporte, gjëra të tilla,” thotë zyrtari i parë, përpara se të theksonte se ata “nuk kishin një kohë shumë të gjatë” për të theksuar natyrën serioze të bisedimeve.
Plani për të krijuar një bisedë më pak të tensionuar dukej se funksiononte.
“Është shumë e rrallë të shohësh të dyja palët të lënë mënjanë pikat e bisedës dhe thjesht të kenë një bisedë strategjike filozofike mjaft të thelluar,” thotë zyrtari i dytë amerikan.
Secila palë shkoi në takime me një listë të përshtatur të çështjeve strategjike që ata donin t’i diskutonin gjatë. Një zyrtar kinez thotë se Wang përdori takimet në Vjenë, Maltë dhe Bangkok për të theksuar tre tema.
Mesazhi i tij kryesor ishte se Kina e shikonte Tajvanin si çështjen më të rëndësishme, një “vijë të kuqe” që nuk duhet kaluar kurrë.
“Ai tregoi se pavarësia e Tajvanit është rreziku më i madh për paqen ndërmjet ngushticave dhe sfida më e madhe për marrëdhëniet Kinë-SHBA”, thotë zyrtari kinez.
Kina e sheh përfshirjen e SHBA-së me Tajvanin si ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Por në një akt ekuilibrues të brishtë – që nuk përmendet në publik – kupton se Uashingtoni ka shumë më tepër aftësi se Pekini për të ndikuar në Taipei. Zyrtari kinez tha se kanali strategjik i lejoi Wang dhe Sullivan të diskutonin Tajvanin në një mënyrë “shumë të çiltër”.
Në Vjenë, për shembull, Sullivan theksoi se Uashingtoni nuk po përpiqet të ndezë një luftë, sipas zyrtarit të dytë.
“Ne nuk po përpiqemi ta tërheqim Kinën në një konflikt mbi Tajvanin. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta,” shton zyrtari i dytë, i cili shtoi se Pekini ishte bërë “goxha konspirativ” për qëllimet e SHBA-së.
Duke nënvizuar paranojën, Xi i kishte thënë presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen disa javë përpara samitit se SHBA po përpiqej të shtynte Kinën të sulmonte Tajvanin.
Shkrirja e ngadaltë e marrëdhënieve SHBA-Kinë
Mars 2021
Takimi i parë midis zyrtarëve kinezë dhe administratës së Biden në Alaskë çon në qortime të zemëruara publike
Gusht 2022
Kryetarja e Kongresit të SHBA-së Nancy Pelosi viziton Tajvanin, duke zemëruar Kinën, e cila nis stërvitjet ushtarake pranë ishullit si përgjigje
Nëntor 2022
Në samitin e Balit G20, Biden dhe Xi ranë dakord të krijojnë një kanal diplomatik për të vendosur një “tullë” në marrëdhëniet
Shkurt 2023
Forcat Ajrore të SHBA-së rrëzojnë një balonë spiune në lartësi të madhe që fluturoi nëpër Amerikën e Veriut, duke rritur tensionet
Maj 2023
Takimi i parë midis Sullivan dhe Wang zhvillohet në Vjenë
Shtator 2023
Takimi i dytë mes Sullivan dhe Wang zhvillohet në Maltë
Tetor 2023
Wang viziton Uashingtonin për të takuar Biden, duke i hapur rrugën takimit të udhëheqësve të SHBA-së dhe Kinës
Nëntor 2023
Biden dhe Xi takohen në San Francisko për një samit që të dyja palët bien dakord se shënon një hap drejt zbutjes së tensioneve
Janar 2024
Takimi i tretë i kanalit të pasmë zhvillohet në Bangkok
Gusht 2024
Sullivan udhëton në Pekin për herë të parë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për një raund të katërt bisedimesh
“Lloji i nocionit bazë “Ju djema po luani me zjarrin në Tajvan” mbetet një tipar qendror i të menduarit të tyre,” thotë zyrtari i parë amerikan.
Përtej Tajvanit, Wang u përqendrua në dy mesazhet e tjera, sipas zyrtarit kinez. Ai hodhi poshtë inkuadrimin e marrëdhënieve nga SHBA si një “konkurrencë”. Dhe ai theksoi se Kina kundërshtoi kontrollet e eksporteve nga SHBA-ja.
Sullivan u përpoq ta bënte Wang-un të kuptonte të vërretën e re – se kombet ishin në një konkurrencë, por nuk duhet të përjashtonte bashkëpunimin.
“Ishte një valle vërtet e vështirë për kinezët,” thotë zyrtari i dytë amerikan.
“Ata donin ta përkufizonin mirë marrëdhënien pasi ne jemi ose partnerë ose jemi konkurrentë.”
Zyrtari kinez tha se Kina nuk e pranoi argumentin.
“Wang Yi shpjegoi shumë qartë se nuk mund të keni bashkëpunim, dialog dhe komunikim dhe në të njëjtën kohë të nënvlerësohen interesat e Kinës.”
Ndërsa Wang nuk u bind, Vjena aktivizoi një rindezje. Ajo i hapi rrugën Blinken-it për të vizituar Kinën atë qershor dhe vizita të tjera të ndërsjella të nivelit të lartë.
Në shtator 2023, katër muaj pas Vjenës, Sullivan dhe Wang mbërritën në Maltë për një takim tjetër.
Ishte një tjetër vend i profilit të ulët me origjinë historike, pasi kishte pritur një takim midis Presidentit George H.W. Bush dhe udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbachev në 1989 pas rënies së murit të Berlinit.
Për të shtuar intrigën në Maltë, Wang ishte riemëruar në detyrën e tij të mëparshme të ministrit të Jashtëm – përveç mbajtjes së rolit të tij më të lartë ekzistues – pasi ministri i mëparshëm, Qin Gang, u largua në mënyrë misterioze. Por ai dhe Sullivan ishin të përqendruar në negocimin e një takimi të mundshëm midis Biden dhe Xi nëse udhëheqësi kinez vendoste të merrte pjesë në forumin “Apec” në San Francisko atë nëntor.
“Malta shërbeu me të vërtetë për të theksuar atë që samiti i San Franciskos do përpiqej ta realizonte”, thotë zyrtari i parë.
Ata diskutuan marrëveshjet e mundshme për një samit, duke përfshirë një kompromis që do përfshinte heqjen e sanksioneve nga SHBA-ja ndaj një instituti të shkencës mjekoligjore të qeverisë kineze në këmbim të goditjes së Kinës ndaj eksportit të kimikateve të përdorura për prodhimin e fentanilit. Ata folën gjithashtu për ringjalljen e kanaleve të komunikimit ushtarak që Kina kishte mbyllur pasi Pelosi vizitoi Tajvanin. Dhe ata diskutuan krijimin e një dialogu të inteligjencës artificiale.
Ndërsa pati shkëmbime të ashpra për çështje të tilla si shqetësimet e SHBA-së për ndihmën e Kinës për Rusinë në rindërtimin e bazës së saj industriale të mbrojtjes dhe çështje të tjera, të dyja palët dukeshin të gatshme për të ecur përpara.
“Vjena dhe Malta ndihmuan që marrëdhëniet Kinë-SHBA të kthehen në konsensusin e Balit”, thotë zyrtari kinez, duke iu referuar marrëveshjes së nëntorit 2022 midis Biden dhe Xi për të stabilizuar marrëdhëniet e trazuara.
Ata ranë dakord që Wang të vizitonte Uashingtonin në tetor, ku u takua me Biden dhe u ul me Sullivan në “Blair House”, shtëpia për të pritur të ftuarit shtetërore përballë Shtëpisë së Bardhë, për të finalizuar hollësitë përfundimtare për San Francisko.
Koreografia rreth samitit rezultoi të ishte intensive. Në një çast, kinezët u tronditën sepse SHBA-së iu desh më shumë se sa pritej për të siguruar një panel xhami antiplumb për të mbrojtur Xi-në brenda dhomës së tij të hotelit.
Në fund, ngjarja shkoi pa probleme pasi Biden dhe Xi zhvilluan katër orë bisedime në pronën Filoli në Woodside. Të dyja palët u duk se u larguan të kënaqura pasi idetë kryesore nga Malta ishin realizuar.
“Ne u larguam nga Woodside me tre rezultate mjaft të mira pavarësisht asaj që kishte qenë një pranverë mjaft sfiduese”, thotë zyrtari i dytë amerikan.
Por jo të gjithë ishin të kënaqur me mënyrën se si arritën atje. Në Uashington, Biden u sulmua nga republikanët. Mike Gallagher, kreu i atëhershëm me ndikim i komitetit të Kongresit për marrëdhëniet me Kinën, tha në qershor 2023 se po binte në grackën e “angazhimit me fantazma”.
“Ne arritëm të marrim diçka”, thotë zyrtari i parë amerikan, i cili argumentoi se kanali hapi “një rrugë për në San Francisko” dhe në këtë mënyrë i dha Biden një mundësi tejet të rëndësishme për të ngritur shqetësimet drejtpërdrejt me Xi-në.
Pjesëmarrës të tjerë shtojnë se ishte e rëndësishme të kemi më shumë diplomaci kur bëjmë gjëra të tilla si ndërmarrja e veprimeve konkurruese kundër Kinës.
Rush Doshi, një ish-zyrtar i NSC-së që mori pjesë në takimet me Wang, thotë se ishte e rëndësishme t’i shpjegohej Kinës se çfarë po bënte SHBA-ja dhe çfarë nuk po bënte.
“Diplomacia është mënyra se si ju pastroni keqkuptimet dhe shmangni përshkallëzimin dhe menaxhoni konkurrencën. Në fakt nuk është në kundërshtim me konkurrencën, por pjesë e çdo strategjie konkurruese të qëndrueshme.”
Dy muaj pas San Franciskos, Wang dhe Sullivan u takuan përsëri në Bangkok, ku, sipas zyrtarit të parë amerikan, Wang u përqendrua në dy çështje: ekonomia, teknologjia dhe siguria, dhe së dyti, Tajvani.
Sullivan i tha Wang se ndërsa Kina ishte e zemëruar për kontrollet e eksportit të teknologjisë amerikane, ajo duhet të marrë parasysh politikat e veta, duke përdorur një analogji të “stokut kundrejt rrjedhës”. Por Wang ishte i bindur se SHBA-ja po përpiqej të frenonte rritjen ekonomike të Kinës me strategjinë e saj të kontrollit të eksportit, thotë zyrtari kinez.
“Teknika është një prioritet masiv për ta”, thotë zyrtari i parë amerikan.
“Ata nuk e pranojnë premisën themelore të asaj që ata e shohin si në thelb sigurimin e marrëdhënieve teknologjike kur e shohin atë si themelore për ekonominë dhe inovacionin thelbësor dhe jo për sigurinë kombëtare.”
Në Bangkok, Sullivan ngriti përsëri çështjen e mbështetjes kineze për Rusinë. Zyrtari i parë amerikan thotë se Kina kishte marrë disa masa të vogla për të adresuar shqetësimet, por “drejtimi i përgjithshëm nuk bind shumë “.
“Megjithatë ky kanal diplomatik nuk mund të bëjë më shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mëdha që ende qëndrojnë midis SHBA-së dhe Kinës”, thotë Daniels nga Instituti i Politikave të Shoqërisë së Azisë.
“Nuk ka arritur ende të krijojë mbështetje në asnjërin vend për të ndjekur një marrëdhënie thelbësisht më pak konfrontuese.”
Megjithatë, pavarësisht shumë dallimeve, të dyja palët thonë se kanali është i vlefshëm. Zyrtari kinez tha se ishte një mekanizëm “shumë i rëndësishëm” që luajti një rol konstruktiv dhe mundësoi diskutime të rëndësishme për Tajvanin.
Ajo ka ndihmuar në uljen e tensioneve në Tajvan pas një periudhe ku disa ekspertë shqetësoheshin se SHBA-ja dhe Kina ishin në një trajektore drejt luftës së mundshme. Ndërsa Kina kundërshton të përjashtojë përdorimin e forcës mbi Tajvanin dhe konflikti me SHBA-në nuk mund të përjashtohet, angazhimi tani për tani ka ndezur një psherëtimë lehtësimi nga aleatët e SHBA-së në Evropë dhe Azi.
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë thonë se një arsye pse kanali funksionoi ishin personalitetet e përfshira. Takimi i parë midis zyrtarëve të lartë Biden dhe homologëve të tyre kinezë – në Alaskë në 2021 – kishte shpërthyer në një përplasje të zjarrtë publike midis paraardhësit të Wang, Yang Jiechi dhe Blinken. Pjesërisht për shkak të kësaj, zyrtarët kinezë thonë se parapëlqejnë të merren me Sullivan, edhe pse e shohin atë si të ashpër.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu preferojnë Wang ndaj paraardhësit të tij, me nofkën “Tiger” Yang. Wang nuk ishte polemizues. Zyrtari i parë amerikan thotë se ai do t’i theksonte pikat e tij me forcë, por kishte për qëllim të siguronte që Sullivan të kuptonte perspektivën e Kinës në vend që të vendoste pikat mbi “i” .
“Yang ishte diplomat i një tjetër peshe,” thotë ai.
Kjo i përshtatej Sullivanit, i cili ishte i përqendruar në sigurimin që të dyja palët të kuptonin njëra-tjetrën për të shmangur keqkuptimet që mund të krijonin turbulenca më të vështira për t’u menaxhuar në marrëdhënie dhe të çonin në konflikt të mundshëm.
Sullivan i tha FT se ai nuk kishte iluzione se kanali i bisedimeve do bindte Kinën të ndryshonte politikat e saj, por ai theksoi se ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën për të zhvendosur dinamikën në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
“Gjithçka që mund të bësh është të marrësh politikën e tyre, politikën tonë, dhe më pas të përpiqesh ta menaxhosh atë në mënyrë që të mund të ndërmarrim veprimet që na nevojiten dhe të ruajmë qëndrueshmërinë në marrëdhënie,” thotë Sullivan.
“Ne kemi qenë në gjendje t’i realizojmë të dyja këto gjëra.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani