Vendosni fjalën kyçe....

Admirali i NATO-s takohet me Kurtin


Shefi i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për sigurinë në vend.

“Diskutimet e sotme u përqendruan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për mbështetjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga BE-ja”, u tha në njoftimin e publikuar nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë dhënë detaje për këtë takim të zhvilluar më 27 gusht.

Më herët gjatë ditës, admirali amerikan Munsch u takua edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

Ky mision tha se gjeneralmajori Ulutas bisedoi me admiralin amerikan për aktivitetet e misionit të NATO-s në Kosovë për të mbështetur paqen dhe dialogun që zhvillohet në Bruksel.

Vizita e admiralit Munsch në Kosovë vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe KFOR-i kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Kurti, që në këtë kohë të hapet për qarkullim të automjeteve ura kryesore mbi lumin Ibër.

KFOR-i ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit, sikurse edhe BE-ja. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

KFOR-i ka prani mbi këtë urë.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se po vazhdon koordinimin dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë sa i përket hapjes së urës, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, nga Mitrovica e Veriut me shumicë serbe./REL