Vendosni fjalën kyçe....

Ajatollahu i gatshëm për negociata me SHBA-të për programin bërthamor


Udhëheqësi suprem i Iranit la të hapur të martën mundësinë e negociatave të reja me Shtetet e Bashkuara, për programin bërthamor të vendit të tij që po përparon me ritme të shpejta. Ai i tha qeverisë së tij se nuk vjen ndonjë e keqe nga angazhimi me “armikun”.

Ajatollah Ali Khamenei përcaktoi gjithashtu vijën e kuqe për mbajtjen e bisedimeve nën drejtimin e qeverisë së Presidentit reformator Masoud Pezeshkian dhe përsëriti paralajmërimin se Uashingtonit nuk i duhet zënë besë.

Sidoqoftë, komentet e tij pasqyrojnë ato të bëra në periudhën e arritjes së marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore në vitin 2015, e cila kufizoi në masë të madhe programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa hapësirë do të ketë Presidenti Pezeshkian për të manovruar, veçanërisht pasi tensionet mbeten të larta në Lindjen e Mesme për shkak të luftës Izrael-Hamas dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për zgjedhjet presidenciale në nëntor.

“Kjo nuk do të thotë se nuk mundemi të ndërveprojmë me të njëjtin armik në situata të caktuara”, tha zoti Khamenei, sipas një dokumenti të zbardhur në faqen e tij zyrtare. “Nuk vjen ndonjë e keqe nga kjo, por mos i vendosni shpresat tuaja tek ata”.

Ajatollahu Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, paralajmëroi gjithashtu kabinetin e Presidentit Pezeshkian: “Mos i besoni armikut”.

Zoti Khamenei, 85 vjeç, ka kërkuar herë pas here bisedime me Uashingtonin, ose i ka refuzuar ato, pasi Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.