Vendosni fjalën kyçe....

Barcelona, një skuadër “baballarësh” dhe “fëmijësh”


“Unë nuk shoh moshën”! Kjo është një shprehje që trajneri i Barcelonës, Hansi Flik e ka artikuluar jo pak në këto dy muaj të parë si teknik i ekipit. Trajneri gjerman i është referuar lojtarëve të rëndësishëm në skuadër. Ai i është referuar yjeve të rinj në shpërthim, Mark Bernal, Lamine Jamal (17 vjeçarë), por dhe veteranëve mes të cilëve golashënuesi më i mirë i ekipit, Robert Levandovski (36 vjeç).

Trajneri gjerman, ashtu si Ksavi, nuk e shikon moshën e lojtarëve kur vendos për njëmbëdhjetëshen që do të hedhë në fushë. Dhe basti po funksionon në mënyrë të përsosur për të. Të paktën në dy takimet e para, ku Barcelona ka arritur po aq fitore. Levandovski, i cili mbushi 36 vjeç të mërkurën e kaluar, ka pasur një fillim të jashtëzakonshëm të sezonit: tre gola në dy ndeshje.

Ai shënoi dy herë në “Mestalla” kundër Valencias, si dhe golin e fitores të shtunën e kaluar kundër Bilbaos. Në nisjen më të mirë të sezonit prej tij që nga sezoni 2019-2020, polaku ka përçuar një mesazh të qartë për rivalët e tij në garën për “Këpucën e Artë” në La Liga. Por nuk është vetëm Levandovski ai që ka shënuar një fillim të shkëlqyer të sezonit.

Në një nivel të mirë janë edhe veteranët e tjerë të skuadrës si kapiteni Ter Shtegen (32 vjeç) dhe kapiteni i pestë, Rafinja (27). Kjo përvojë e veteranëve, që dinë të diktojnë lojën e Barcelonës, përzihet në mënyrë të përkryer me përkushtimin ndaj talenteve të rinj që po shfaq ish-trajneri i Bajernit të Mynihut. Mark Bernal, 17 vjeç, ishte titullar në dy ndeshjet e para dhe gjithçka tregon se ai do të vazhdojë të jetë i tillë edhe sonte në mbrëmje në Vajekas.

Ashtu si Kubarsi dhe Lamine Jamal, të cilët janë në të njëjtën moshë me të, por që e kanë fituar statusin e tyre që në sezonin e kaluar. Po kështu, futbollistë të tjerë të rinj si Kasado (20), ose Hektor Fort (18) apo Pau Viktor (22) do të jenë të pranishëm këtë sezon me Flik./PanoramaSport.Al