Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte i ftuar në “Podcastin e Lirisë”, ku ka folur për rrugëtimin e tij politik. Meta shpjegoi se karriera e tij politike nisi në mënyrë spontane, duke rrëfyer për kandidimin e tij të parë në zgjedhjet e marsit 1992, ku përfaqësoi PS-në në Skrapar. Ai tregoi se arriti fitoren jo për meritat personale, por për respektin që gëzonte emri i gjyshit të tij, Taip Dishani, i cili kishte pasur një ndikim të madh në zonën e Tomorricës.
Meta kujtoi zgjedhjen e tij si deputet vetëm pak ditë para se të mbushte 23 vjeç, një nga vetëm 6 deputetët socialistë të asaj kohe. Një nga arritjet më të mëdha të tij, siç theksoi, ishte krijimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), e cila erdhi si një përgjigje ndaj bllokimit të procesit të integrimit nga PS. Ai shtoi se në zgjedhjet pasuese vendosi bastin politik për të kandiduar sërish në Skrapar, ku fitorja e tij ishte një konfirmim personal.
Meta theksoi nevojën për të ndërgjegjësuar brezin e ri dhe për ta shkundur që të veprojë tani, përndryshe mund të humbasin shansin e tyre për të ndikuar në të ardhmen e vendit.
“Unë nuk kam dashur të merrem me politikë, ka qenë diçka spontane. Ëndrra ime ishte të bëhesha pedagog, e sa të mbaroja fakultetin të ikja jashtë për studimet, por ashtu ndodhi. Në mars 1992, ishin zgjedhjet e para ku ndodhi një ndryshim shumë i fortë.
PD ishte në revansh të papërmbajtshëm, PS, ish parti e punës ishte në zbaticë të frikshme dhe nuk i pranonte njeri për të kandiduar për deputetë. M’u lutën me 700 manovra, më bënë edhe një kurth të bukur – mund ta themi – dhe unë u vendosa kandidat në Skrapar, në zonën e Tomorricës, ku kishte pasur shumë pakënaqësi me komunizmin, sepse pjesë e madhe e tyre kishte qenë me Ballin Kombëtar. Ishte një zonë e pamundur për tu fituar nga PS.
Unë e fitova jo se isha unë, se PS mori 6 mandate nga 110 maxhoritarë atë vit. Ishte një katastrofë totale, ku dy i mori Skrapari. Por e fitova vetëm se isha nipi i Taip Dishanit.
Unë vajta për herë të parë në Tomoricë, s’kisha qenë kurrë, se unë jam nga zona e kanioneve në kufi me Përmetin. Vetëm për respekt të emrit të gjyshit tim, i cili kishte drejtuar në Tomoricë, kishte qenë në kohën e luftës.
Kishte ruajtur balancat pas lufte, kishte bërë shumë ndere dhe shumë të mira. Kishte qenë njeri shumë i drejtë e respektueshëm.
E ata në çdo fshat që shkoja në këmbë, 50 fshatra më thoshin: Ti mor djalë e ke në terezi këtë herë, do e marrësh se je nipi i Taipit, por se çfarë je ti do e shohim mandatin tjetër.
Kjo ishte arritje e madhe, se pa bërë 23 vjeç, 22 mars 1992, në 24 mars unë bëja 23 vjeç, u zgjodha deputet, një ndër 6 deputetët që kishte fituar PS. Një arritje tjetër thoshin se ky zgjidhet në Skrapar e në Skrapar janë me PS-në.
Një tjetër arritje ishte që unë krijova LSI, sepse PS e kishte bllokuar integrimin dhe unë vendosa një bast të fortë. Edhe pse kisha një parti të re nuk e vendosa veten time në listë, por thashë unë jam nën mazhoritar dhe nëse populli i Skraparit nuk më voton nën mazhoritar nuk kam pse shkoj në Parlament. Fitorja në Skrapar ishte bindëse dhe ishte një fitore personale.
Duhet ndihmuar që të shkundet brezi i ri për të qenë i ndërgjegjshëm. Nëse nuk shkundet tani dhe nëse nuk organizohet tani e humbet vendin njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Meta.