Muzeu Etnografik i Elbasanit, Monument i Kategorisë së parë dhe i vetmi i kësaj natyre në këtë qark pritet që t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë i cili synon të përmirësojë kushtet në të cilat ndodhet.
Monumenti në fjalë është një godinë 2 kate tipike elbasanase me hajat dhe çardak, sipas dokumenteve, dikur ka shërbyer si Banesa e Sejdineve, sot gjysma e tij është kthyer në Muze Etnografik të qytetit Elbasan dhe administrohet nga ana e Bashkisë Elbasan.
Hyrja kryesore e Muzeut është e orientuar nga perëndimi bashkë me kopshtin me pemë dhe lule. Tavanet dhe dyshemeja e katit te parë janë prej druri të gdhendur dhe ka dritare në çdo fasadë.
Monumenti ndodhet në qendër të qytetit Elbasan, në anën lindore të sheshit “Aqif Pasha”. Objekti është ndërtuar në një terren të sheshtë dhe daton prej shek. XVIII -të.
Bashkia aktualisht po prokuron pjesën e mbikëqyrjes së punimeve për këtë kontratë e cila synon restaurimin e plotë të këtij Monumenti. Rritja e prurjeve turistike duket se po orienton gjithmonë e më shumë vëmendjen tek plotësimi i ofertës rajonale në qarqe të ndryshme të vendit përfshi këtu edhe Elbasanin.
Në përshkrimin arkitektonik sqarohet se kati i parë ka një korridor të madh dhe 4 dhoma të vizitueshme. Ndërkati është prej druri shtruar me dërrasë.
“Tavanet janë të gjithë të dekoruar me motive të ndryshme nga njëra-tjetra. Në këtë objekt spikatin dekoret prej druri murale si dhe afreske në faqet e brendshme të murit, gjë që tregon se banorët e saj dikur kanë përfaqësuar një familje të pasur dhe me nivel të lartë të qytetit. Të gjitha dhomat kanë ndriçim të bollshëm, dritare druri dhe me kanatë druri. Dhomat e ndenjjes për burra dhe për gra janë të veçanta dhe janë me oxhak.
Në ambiente është realizuar një mobilim tipik i periudhës kur ka shërbyer objekti si banesë. Vlerë të veçantë në muze ka dhe fondi i prodhimeve dhe veshjeve të zbukuruara në mënyrë artizanale. Në anën perëndimore ndodhen dhe dy ambiente me një korridor të brendshëm që komunikojnë me çardakun të cilat sot shërbejnë si arkivë dhe depo” thuhet në dokumentet e procedurës.
Të dhënat zyrtare tregojnë për një rritje të interesit për monumentet kulturore dhe kalatë në vend gjatë viteve të fundit. Në janar-korrik 2024 u regjistruan mbi 651.7vizitorë gjatë Janar-Korrik 2024 në sitet kulturore në vend, një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku 23% e vizitorëve janë turistë të huaj.
Top 5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:
– Kalaja Gjirokastër – 120,723 vizitorë
– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë – 90,955 vizitorë
– Parku Arkeologjik Shkodër – 85,806 vizitorë
– Parku Arkeologjik Butrint – 84,742 vizitorë
– Parku Arkeologjik Apolloni – 68,469 vizitorë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor