Vendosni fjalën kyçe....

Mungesë e tejzgjatur uji në ishullin italian, përfiton biznesi i autoboteve


Një thatësirë e zgjatur ​​në ishullin italian të Siçilisë është bërë aq e rëndë sa që shumë banorë të qytetit të Caltanissetta kanë qenë pa ujë të rrjedhshëm për dy muaj, duke çuar në fitime të mëdha për shitësit privatë të paautorizuar.

Në një gjendje që lidhet më lehtë me një vend në zhvillim sesa me një ekonomi të përparuar evropiane, mijëra sicilianë po e marrin ujin e tyre nga individë dhe grupe që e shpërndajnë atë nga kamionë cisternë që operojnë me çmime të fryra.

Pas katër vitesh reshjesh shumë nën mesataren historike, qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në maj në përpjekje për të menaxhuar më mirë burimet deri në sezonin e shirave të vjeshtës, por që atëherë gjërat vetëm sa janë përkeqësuar.

Uji është racionuar në dhjetëra qytete qendrore të Sicilisë, duke i lënë qytetarët të mbështeten në furnizimet nga cisternat që mund t’i kushtojnë familjeve dhe bizneseve mesatarisht 300 euro në muaj.

“Çdo 15 ose 20 ditë më duhet të telefonoj kamionë me ujë për të mbushur rezervuarët që kam në shtëpi,” tha Alberto Miçiche, i cili jeton në lagjen Poggio Fiorito në periferi të Caltanissetta.

Kostoja e një ngarkese kamioni 8,000 litra është dyfishuar nga një vit më parë në rreth 100 euro, tha Miçiche. Më pas, ai ka koston shtesë të energjisë elektrike për të pompuar ujin nga rezervuarët në kuzhinën ose banjën e tij.

Në pjesën tjetër të Caltanissetta-s, autoritetet sigurojnë furnizime të rregullta me ujë për vetëm disa orë në javë ose çdo dy javë, në varësi të lagjes.

Mungesa kronike e ujit nuk është asgjë e re për sicilianët, shumë prej të cilëve kanë rezervuarë magazinimi në çatitë e tyre ose nën tokë për të përballuar periudhat e mungesës, por këto po dalin të pamjaftueshme pasi thatësirat bëhen më të gjata dhe më të rënda.

Shantazh me ujë

Bizneset që kërkojnë furnizim të vijueshëm me ujë të pijshëm, si restorantet, janë acaruar pasi kërkesa tejkalon ofertën dhe çmimet rriten.

“Shumë pronarë cisternash e dinë se jemi në telashe dhe po përfitojnë nga gjendja është një lloj shantazhi,” tha Michele Tornatore, e cila zotëron një restorant të quajtur “Sale e Pepe” në Caltanissetta.

“Nëse cisternat mund të marrin ujë, atëherë pse nuk ka ujë?” tha ai.

Zyrtarisht, uji konsiderohet një e mirë publike dhe nuk mund të shitet nga individë, të cilët mund të kenë puse private vetëm për përdorim personal.

Vetëm cisterna private të autorizuara mund të shpërndajnë ujin që kanë marrë nga burime publike, duke paguar një tarifë transporti. Për ta bërë këtë, ata vetë duhet të paguajnë një tarifë tek kompania zyrtare lokale e ujit.

Megjithatë, rregullat shpërfillen në mënyrë rutinore, me rreziqe të mundshme për shëndetin publik. Shumë cisterna nuk janë të regjistruara dhe funksionojnë pa mbikëqyrje ose rregullore, duke shpërndarë ujë nga burime të pakontrolluara dhe cilësi të pasigurt.

Autoritetet në disa qytete siciliane kanë gjobitur njerëzit me mijëra euro këtë vit për shpërndarje të paautorizuar dhe shitje të ujit të kontaminuar.