Vendosni fjalën kyçe....

“Pse më lag me shampanjë”…”Ujë, sill ujë shpejt” – Sherr masiv në resortin luksoz në Palasë, plagoset Luciano Koçeku, 6 në kërkim (Video)


Një konflikt masiv ka ndodhur në një resort luksoz në bregdetin e Jonit, në Palasë, ku gjashtë persona janë përfshirë në sherr. Policia ka shpallur në kërkim të gjithë të përfshirët, përfshirë Gent Balecin, 49-vjeçar nga Durrësi, dhe Xhoni Spahon, 28-vjeçar nga Tirana, të dy me precedentë penalë. Gjithashtu në kërkim janë edhe Fatmir B., C.K., dhe dy persona të tjerë, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë publike.

Përleshja ka lënë të plagosur dy persona, Luçiano Koçeku, 42 vjeç, dhe Fatbardh Aliaj, të cilët u goditën me sende të forta gjatë konfliktit.

Konflikti ka shpërthyer në një resort luksoz në Palasë, për shkaqe banale si “Pse më sheh” dhe “Pse më lag me shampanjë”.

Në përleshjen ku u përfshinë më shumë se 6 persona, nuk munguan as sendet e forta. Pamjet e incidentit tregojnë disa individë të veshur me bluza të zeza duke grushtuar një person me këmishë të bardhë, të cilin e goditën në kokë dhe trup. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

‘Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç.  Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.’- njofton policia.

Ndërkohë shumë pranë tavolinës, një tjetër është shembur në tokë dhe ka humbur ndjenjat. Për t’i ardhur në ndihmë miqtë e tij kërkojnë ujë që ta sjellin në vete.

‘Kape kape, ujë ujë ujë…’– thonë miqtë e tij.

Ndërsa Xhoni Spaho rezulton që të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, nga radhët e Partisë ‘Aleanca për Demokracinë e Re’, që drejtohet nga Edmond Stojku.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur të shtunën, 24 gusht por policia ka raportuar për të vetëm sot (e martë, 27 gusht, kur dhe u publikua video.

Sipas njoftimit të parë të policisë, dy persona ishin në kërkim, por burime për Report Tv konfirmojnë se janë në total 6 persona të shpallur në kërkim, përfshirë Gent Balecin, 49-vjeç nga Durrësi, Xhoni Spahon, Fatmir B. dhe C.K., si dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.