Vendosni fjalën kyçe....

Rusia bombardon Ukrainën me raketa dhe dronë për ditën e dytë radhazi


Rusia nisi disa valë sulmesh me raketa dhe dronë duke shënjestruar shumë rajone të Ukrainës dhe duke vrarë të paktën katër persona, tha ushtria e Ukrainës të martën herët në mëngjes, një ditë pas sulmit ajror më të madh të Moskës ndaj fqinjit të saj që nga fillimi i luftës.

Dy persona u vranë kur një hotel u “fshinë” nga faqja e dheut në qytetin e Ukrainës qendrore, Kryvyi Rih, thanë zyrtarët rajonalë. Dy të tjerë vdiqën në sulmet me dronë në qytetin Zaporizhzhia, në lindje të Kryvyi Rih.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të rajonit të Kievit u përdorën disa herë gjatë natës për të zmbrapsur raketat dhe dronët që shënjestruan kryeqytetin ukrainas, tha administrata ushtarake e rajonit në Telegram.

Dëshmitarë të Reuters raportuan të paktën tre raunde shpërthimesh gjatë natës në Kiev.

Të hënën, Rusia lëshoi më shumë se 200 raketa dhe dronë, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke dëmtuar infrastrukturën energjetike në një sulm që u dënua nga Presidenti i SHBA Joe Biden si “i tmerrshëm.”

Analistët në Institutin për Studimin e Luftës, një qendër kërkimore me bazë në Uashington, thanë në shënimin e tyre vonë të hënën se Moska “ndoshta nuk ka kapacitetin industrial të mbrojtjes për të mbajtur rregullisht sulme kaq masive në një shkallë të ngjashme.”

Disa blogerë ushtarakë rusë, si kolektivi pro-luftës i njohur me emrin Rybar, i quajtën sulmet e Moskës një “akt hakmarrjeje” për inkursionin e papritur të Ukrainës në territorin e Rusisë – veprimi i parë i tillë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kremlini tha të hënën se do të ketë një përgjigje ndaj veprimit të Ukrainës në Kursk, por tre javë pas inkursionit, Kievi pretendon përparime të mëtejshme. Moska thotë se vazhdon të bombardojë trupat ukrainase atje, por ende nuk është në gjendje t’i largojë ato.

Përmasat e sulmeve të së martës dhe ndikimi i tyre i plotë nuk dihen menjëherë, por forcat ajrore të Ukrainës thanë se regjistruan lëshimin e disa grupe dronësh dhe ngritjen nga aeroportet ruse të bombarduesve strategjikë Tu-85 dhe avionëve të kapësve supersonikë MiG-31.

Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

Kremlini mohon se shënjestron civilët në luftën që Presidenti Vladimir Putin nisi kundër fqinjit të vogël të Rusisë me një pushtim në shkallë të gjerë në shkurt 2022.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmet e saj të hënën goditën “të gjitha objektivat e përcaktuara” në infrastrukturën kritike energjetike të Ukrainës.

Kryvyi Rih, Kievi dhe rajonet qendrore dhe lindore të Ukrainës ishin nën alarme ajrore për pjesën më të madhe të natës, duke filluar nga ora 20:00 GMT të hënën.

Dy civilë mund të jenë ende nën rrënojat e hotelit në Kryvyi Rih dhe pesë u plagosën në sulm, tha Serhiy Lisak, guvernatori i rajonit të Dnipropetrovsk, ku ndodhet Kryvyi Rih, në Telegram.

Gjashtë dyqane, katër ndërtesa shumëkatëshe dhe tetë makina u dëmtuan gjithashtu atje, shtoi ai.

Në Zaporizhzhia, dy persona u vranë dhe katër u plagosën gjatë natës, tha Ivan Fedorov, guvernatori i rajonit Zaporizhzhia, në Telegram.

“Të tilla janë pasojat e sulmit gjatë natës nga Shahedet në Zaporizhzhia,” tha Fedorov, duke iu referuar dronëve vetëvrasës të prodhimit iranian që Kievi thotë se Rusia i përdor në sulmet e saj.