Familja mafioze Casamonica, një klan i krimit të organizuar që vepron në Romë dhe rrethina, është fajësuar për një arkivol të zi që u la para shtëpisë së një aktivisteje antimafia të dielën, tha policia.
Aktivistja, Tiziana Ronzio, është presidente e grupit anti-mafia “Toripiubella”, e quajtur sipas lagjes Tor Bella Monaca ku ishin vendosur vilat kryesore të familjes Casamonica derisa u shkatërruan nga pushteti lokal në vitet 2018 dhe 2019.
Policia gjeti dekorime të çmuara, duke përfshirë tigra prej porcelani të përmasave reale të përdorura për të fshehur para, pishina të veshura me diamant, kuaj të artë dhe tavane me pasqyrë të praruar në shumë prej dhomave gjatë prishjes. Ata gjetën gjithashtu disa ton drogë, tha policia, duke përfshirë heroinë dhe kokainë. Në vitin 2022, dy anëtarë të familjes u dënuan për përpjekjen për të trafikuar shtatë ton kokainë nga Kolumbia.
Arkivoli u gjet të dielën jashtë rezidencës së Ronzios në Romë në lagjen Tor Bella Monaca.
Ronzio tha të dielën pasdite se ajo e kishte parë arkivolin dhe se njerëzit i kishin dërguar asaj fotot, por ajo nuk e kuptoi menjëherë se ishte menduar si një kërcënim për të derisa policia e informoi atë.
Ndërsa ajo e quajti kërcënimin “të pakuptimtë” dhe tha se nuk do ndalonte dhe se do vijonte të raportonte rregullisht anëtarët e grupit për krime ndaj banorëve vendas dhe shpesh ka dëshmuar në gjykatë në emër të tyre.
“Nuk kam frikë, do eci përpara”, tha Ronzio për mediat lokale.
“Këto janë gjeste idiote që na zemërojnë edhe më shumë dhe na shtyjnë të luftojmë.”
Ndërkohë, policia e Romës i tha CNN të hënën se arkivoli po ekzaminohet për gjurmët e gishtërinjve. Toripiubella, grupi i Ronzios, i tha CNN se ata nuk do bënin një deklaratë publike pasi hetimi është në vijim.
Ronzio ka denoncuar disa anëtarë të klanit në të kaluarën.
“Ka pasur shumë gjëra që njeriu gjithmonë i lë të rrëshqasin,” tha ajo për Sky24 të Italisë të dielën në mbrëmje, duke vënë në dukje se ajo ka përjetuar akte të mëparshme frikësimi, duke përfshirë kërcënime me shkrim dhe feçe të lëna në derën e saj nga fqinjët e saj.
Ndërsa shtëpia dhe zyra e Ronzios janë thyer disa herë, ajo i tha gazetës La Repubblica se “nuk ndodh çdo ditë të gjesh një arkivol para derës. “.
“Mund të ndodhë që një person i pacivilizuar të lërë një pjesë të mobiljeve, një divan, por jo një arkivol”, tha ajo në artikullin, i cili u botua të hënën.
Disa grupe politike e kanë dënuar aktin e shantazhit.
Duke shkruar të dielën në X, kryetari i bashkisë së Romës Roberto Gualtieri tha: “Solidaritet dhe afërsi me Tiziana Ronzio për kërcënimin e tmerrshëm të marrë sot. Puna e çmuar që ajo kryen prej vitesh së bashku me shumë qytetarë të tjerë të ndershëm në Tor Bella Monaca sigurisht që nuk do ndalet përballë frikësimit. Qyteti dhe administrata e tij do vijojnë të jenë në krah të Tizianës në mbështetje të angazhimit të saj të përditshëm në territor për ligjshmëri dhe drejtësi.”
Skena nga “Kumbari”
Klani Casamonica u identifikua për herë të parë si një grup i stilit mafioz nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Italisë, ose DIA, në vitet 1970.
Familjet kryesore e kanë origjinën si grupe nomade Sinti që mbërritën në kryeqytet nga provincat rurale italiane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vlerësohet të kenë rreth 90 milionë euro pasuri, sipas DIA. Ata janë të lidhur më shpesh me zhvatje, shantazh dhe fajde, por gjithashtu janë përfshirë në kërcënime si ai kundër Ronzios dhe në raste vrasjesh.
Mendohet se klani ka rreth 1000 anëtarë. Një duzinë njerëzish të lidhur me grupin po përballen aktualisht me një gjyq për vjedhjen e energjisë elektrike nga një projekt strehimi në Romë.
Grupi u bë i famshëm në vitin 2015, kur u lejuan disi nga autoritetet e Romës të zhvillonin një funeral luksoz për patriarkun e familjes, Vittorio Casamonica, që përfshinte një karrocë me kalë për arkivolin e tij dhe një helikopter që hodhi petale trëndafili mbi lagjen Tor Bella Monaca.
Duke qenë se klani Casamonica identifikohet nga autoritetet italiane si një organizatë kriminale, është e pazakontë që atyre iu dha leja për të mbajtur një funeral publik, pasi grupeve të tjera mafioze u janë ndaluar funeralet publike për bosët.
Megjithatë, atij procesioni iu dha mbrojtja e policisë dhe një bandë frymore jashtë kishës luante muzikë tematike nga trilogjia “Kumbari”.
Në vitin 2019, gjatë një gjyqi kundër 40 anëtarëve të familjes Casamonica të akuzuar për grup mafioz, trafik dhe tregti droge, zhvatje, fajde dhe armëmbajtje pa leje, një informator dëshmoi se matriarkia e familjes u përpoq ta vriste.
Informatori, Massimiliano Fazzari, foli në gjykatë për përdorimin e acidit ndaj viktimave, i cili tha se mbahej në një kazan në një nga bodrumet e vilave të familjes në Romë.
“Ata më kërcënuan se do më tresin në acid,” tha Fazzari për Liliana Casamonica, kryetaren femër të njërës prej familjeve.