Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në vend, 5 vatra ende aktive


5 vatra zjarri vijojnë që të jenë aktive në vend, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit është bërë e mundur shuarja e 43 vatrave zjarri nga 48 të tilla.

Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se, në operacione janë angazhuar 655 forca operacionale dhe 63 automjete, nga të cilët 109 trupa ushtarake dhe 13 mjete, 4 automjete zjarrfikëse si dhe helikopteri Cougar i Forcës Ajrore.

“Zjarret janë shuar në qarqet Kukës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë e Gjirokastër. Aktualisht po punohet: Në fshatin Surroj njësia administrative Surroj, bashkia Kukës. Zjarri vazhdon aktiv prej ditësh në një sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar 39 forca nga strukturat vendore të bashkisë dhe 17 efektivë nga Forcat e Armatosura. Situata është drejt normalizimit”, njoftoi Ministria.

Në fshatin Tetaj, njësia administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë. Në terren janë angazhuan 13 forca nga strukturat vendore të bashkisë Tropojë. Situata është e normalizuar, nuk ka rrezik për banesa.

Në fshatin Bukëmirë, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri u zhvillua në një sipërfaqe me shkurre dhe pemëtari. Në vendngjarje u angazhuan 40 forca nga strukturat vendore (MZSH, policia, bashkia, Shërbimi Pyjor, vullnetarë), të cilët arritën në mbrëmje vonë të normalizojnë situatën. Zjarri është i izoluar, po mbahet në monitorim për arsye të ndonjë riaktivizimi të mundshëm.

Në fshatin Baqel, njësia administrative Blinisht. Zjarri është zhvilluar në një sipërfaqe me bimësi të ulët dhe hamullore. Për shkak të intensitetit të erës, zjarri ka marrë përmasa duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe që ka përfshirë fshatrat Baqel dhe Krajën të njësisë administrative Blinisht dhe Dajç të njësisë administrative Dajç. Në terren u angazhuan 105 forca operacionale të cilët kanë punuar dhe arritur të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit në orën 20:00. Zjarri është i izoluar, po mbahet në monitorim për arsye të ndonjë riaktivizimi të mundëshëm. Si pasojë e zjarrit pati dëmtime në disa ndërtesa si dhe u përshkua një sipërfaqe prej 250 ha me shkurre, pemëtari dhe hamullore.

Në fshatin Mnelë e Vogël, njësia administrative Vig-Mnel, bashkia Vau-Dejës, është riaktivizuar vatra e zjarrit. Po punohet nga MZSH Vau-Dejës. Gjatë ditës në vendngjarje u angazhuan 41 forca operacionale. Si pasojë e erës, zjarri në orët e mbrëmjes mori përmasa duke u përhapur në një shtrirje prej 3 km. Në mbështetje të forcave në terren punuan 3 automjete zjarrfikëse nga FA.