Shefi ekzekutiv i META-s, Mark Zuckerberg tha në një letër drejtuar kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Kongresit, Jim Jordan, se administrata e Biden në vitin 2021 “i bëri presion në mënyrë të përsëritur” kompanisë së tij për të hequr postime të caktuara në lidhje me Covid dhe bërja e kësaj ishte “e gabuar”.
“Në vitin 2021, zyrtarë të lartë nga administrata e Bidenit, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, u bënë vazhdimisht presion ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar disa përmbajtje të Covid-19, duke përfshirë humorin dhe satirën dhe shprehën shumë zhgënjim me ekipet tona kur nuk ramë dakord. ” – shkruan Zuckerberg në letrën dërguar të dielën.
“Në fund të fundit, ishte vendimi ynë nëse do e hiqnim apo jo përmbajtjen.”
Zuckerberg përsëriti gjithashtu se META, që zotëron Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, kishte gabuar duke censuruar përkohësisht një shkrim të Neë York Post të vitit 2020 për laptopin e Hunter Biden dhe tha se kompania që atëherë ka ndryshuar politikat e saj për të shmangur çdo lëvizje të ngjashme.
Konkretisht, ai tha se rrjetet sociale të META-s nuk do “shtypnin” më postimet apo historitë potencialisht të rreme, ndërkohë që ajo pret një vendim nga partnerët e saj të kontrollit të fakteve. Në vend të kësaj, ajo do presë për rezultatet e kontrolleve të fakteve përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim.
Letra drejtuar Jordan tregon se META po përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me të djathtën përpara zgjedhjeve të 2024-ës, mes një hetimi shumëvjeçar dhe të vijueshëm të udhëhequr nga republikanët për politikat e moderimit të përmbajtjes në rrjetet kryesore të mediave sociale.
Ndërsa presidenti Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë demokratë e kanë kritikuar kompaninë herë pas here për dështimin në frenimin e informacionit të rremë në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020 dhe pandeminë, Jordan dhe republikanët e tjerë të Kongresit kanë qenë të zëshëm duke akuzuar META-n dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë për reagim të tepruar duke “censuruar” fjalimet dhe qëdrimet e konservatorëve.
Në qershor, Gjykata e Lartë hodhi poshtë një ofertë të udhëhequr nga prokurorët e përgjithshëm të shtetit republikanë për të kufizuar kontaktet midis Shtëpisë së Bardhë dhe kompanive të teknologjisë. Dhe në korrik, ajo hodhi poshtë vendimet e gjykatave më të ulëta që do kufizonin të drejtën e rrjeteve sociale për të moderuar postimet e përdoruesve.
Letra e Zuckerberg shënon herën e parë që META është shprehur publikisht mbi padinë e ngritur nga prokurorët e përgjithshëm republikanë, duke pretenduar se presioni i administratës Biden ndaj saj dhe gjigantëve të tjerë të teknologjisë për të goditur dezinformimin e Covid-19 përbënte censurë të paligjshme. Përdorimi i fjalës “censurë” nga shefi i META-s pasqyron atë të Jordan dhe republikanëve të tjerë, ashtu si edhe kritikat e tij ndaj administratës Biden.
Por Zuckerberg tha gjithashtu se veprimet e moderimit të përmbajtjes së META-s ishin të tijat dhe jo rezultat i detyrimit të qeverisë – një karakterizim në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë për të cilën paditësit nuk arritën të tregonin një lidhje të drejtpërdrejtë midis presionit të qeverisë dhe heqjes së postimeve të tyre.
“Ne marrim vendimet tona, duke përfshirë ndryshimet që lidhen me Covid-19 në vazhdën e këtij presioni”, shkroi Zuckerberg.
Ai shtoi: “Qëndroj fuqishëm se nuk duhet të komprometojmë standardet tona të përmbajtjes për shkak të presionit nga çdo administratë në të dyja drejtimet dhe ne jemi gati të marrim masa nëse diçka e tillë ndodh përsëri.”
Kritikat e Zuckerberg ndaj administratës Biden dhe premtimi për t’u tërhequr nga zbehja e përmbajtjes potencialisht të rreme u përshëndet si një fitore nga disa në të djathtë.
“Fitore e madhe për fjalën e lirë,” postuan republikanët e gjyqësorit të Kongresit në X.
Njoftimi se Meta nuk do t’i zbehë më historitë e shënuara si shkelje të mundshme të politikave të saj të dezinformimit mund të nënkuptojë se materialet do qarkullojnë më lirshëm në rrjetet e saj para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024-ës.
Që nga pezullimi i Donald Trump në vazhdën e kryengritjes së 6 janarit 2021, META dhe firma të tjera të mëdha të teknologjisë e kanë rikthyer atë në aplikacionet e tyre dhe kanë hequr kufizimet në llogaritë e tij.
Gjithashtu në letër, Zuckerberg konfirmoi raportet se ai nuk do të dhurojë më para për infrastrukturën e zgjedhjeve lokale përmes Nismës Chan-Zuckerberg, një program që disa e quajtën “Zuckerbucks”. Washington Post raportoi këtë muaj se ai nuk do ta mbështeste më programin duke lënë potencialisht boshllëqe financimi për zgjedhjet në juridiksione të vogla.
“Ato ishin krijuar për të qenë jopartiake, të përhapura në komunitetet urbane, rurale dhe periferike”, shkroi Zuckerberg.
“Megjithatë, pavarësisht analizave që kam parë që tregojnë të kundërtën, e di se disa njerëz besojnë se kjo punë i ka dhënë avantazhe njërës palë mbi tjetrën. Qëllimi im është të jem asnjanës dhe të mos luaj një rol në një mënyrë ose në një tjetër apo të dukem se po luaj një rol. Kështu që nuk kam në plan të jap një kontribut të ngjashëm këtë cikël.”
Katie Harbath, shefe e konsulencës së teknologjisë “Anchor Change” dhe ish-zyrtare e Facebook, tha se ajo ka “reagime kontradiktore” ndaj letrës së Zuckerberg.
Ndërsa ajo tha se përpjekja për të rregulluar marrëdhëniet me republikanët e Kongresit përpara zgjedhjeve është e kuptueshme, ajo vuri në pikëpyetje vendimin e Zuckerberg për të adresuar shqetësimet e republikanëve, por jo ato të demokratëve, të cilët e shohin komitetin e Jordan se po ushtron presion të panevojshëm të qeverisë.
“Pasqyrimi se si ata marrin vendime të moderuara në kohë krize është i mirë,” tha Harbath.
“Unë thjesht do të doja të shihja që kjo të bëhej në një mënyrë më asnjanëse.”
David Kaye, një profesor në Shkollën Juridike të UC Irvine dhe ish-raportues special i OKB-së për lirinë e shprehjes, ishte më kritik ndaj letrës, të cilën ai e quajti “cinike” dhe “të turpshme”.
Misioni i Zuckerberg, tha ai, “përforcon ndjenjën e shumë aktivistëve në mbarë botën se Zuckerberg nuk u përmbahet dhe nuk i mbron domosdoshmërisht rregullat e tij, por mund të ndikohet nga presioni i qeverisë edhe pse letra e tij përpiqet të mohojë këtë perceptim.”
Meta nuk pranoi të komentonte përtej konfirmimit të origjinalitetit të letrës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani