Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka deklaruar se qeveria nuk ka reaguar në lidhje me anijet me mbetje toksike.
Në një konferencë për shtyp, Muçollari shtoi se kjo vërteton se qeveria është e përfshirë në ngjarjen, që e quajti një krim të rëndë shtetëror
DEKLARATA:
Më 4 korrik, këtu në Portin e Durrësit, tek kalata lindore, janë ngarkuar mbi 100 kontejnerë me lëndë të rrezikshme, të dyshuar si toksike sipas Rrjetit të Bazelit, dhe janë nisur me dy anije drejt Tajlandës.
Pas sinjalizimit të organizmave dhe shteteve, në Tajlandë pati protesta, dhe reagimi ndërkombëtar bëri që anijet të kthehen mbrapsht, dhe besohet se muajin tjetêr, në shtator, ato do të vijnë sërish ketu.
Të dhënat e para rreth këtij skandali dolën me 12 gusht, nga një raportim i agjencisë së mirënjohur Bloomberg.
Bloomberg ka tentuar të marrë reagim nga qeveria shqiptare, por nuk ia ka dalë. Informacion ka kërkuar në mënyrë zyrtare edhe Partia Demokratike, por prapë heshtje pavarësisht se ligji i detyron institucionet të japin informacion, aq më tepër kur kërkohet nga një deputet i Republikes së Shqiperisë. Pas disa ditësh heshtje, një zëdhënës ministrie e pranoi se ka nisur një hetim, dhe hodhi dyshimet se e kanë bërë privatët, pa dijeninë e autorizimin e shtetit.
Presioni publik u rrit. Qeveria dhe kryeministri vijuan heshtjen.
Në publik doli një dokument, që tregon se ministrja e Mjedisit, kishte licensuar kompaninë private për të bërë eksport të mbetjeve të rrezikshme. Në këto kushte, 4 ditë më parë, më në fund dy ministre u bënë bashkë dhe firmosen një deklaratë dhe nxoren një variant tjetër. Ato, pra ministret e Ramës e pranojnë se kanë dijeni për këtë ngarkesë, derisa shpallën se nuk e pranojnë mbrapsht lëndën e dyshimtë, pa u bërë analizat.
Ministret e Ramës u kujdesën të sulmojnë mediat dhe opozitën për shqetësimin e ngritur. Një mjerim. Çfarë Shqipërie kërkojnë këto zonja? Duan një vend ku pasi merret vesh se ka trafik ndërkombetar të mbetjeve të rrezikshme, askush të mos flasë?
Rasti i mbetjeve ka nxjerrë një të vërtetë të frikshme, për punët e pisëta që bën qeveria në dem të qytetarëve e në dem të vendit.
Teksa pritet që anijet të kthehen bashkë me faktet dhe të vërtetën, sjellja e qeverisë deri tani me disa qendrime e disa variante, thjesht fakton përfshirjen e saj në këtë krim të rëndë shtetëror.
Dyshimet janë të arsyeshme dhe sipas të dhënave nga burime të mirëinformuara, ky trafik ka ndodhur shpesh.
Kemi një pyetje të drejtpërdrejtë për institucionet përgjegjese: A janë nisur nga ky port në janar të ketij viti, 550 kontejnerë me ngarkesa të ngjashme?
Në këtë paligjshmëri e fshehtësi, a ka ndodhur që materiale të tilla të rrezikshme, toksike, siç janë mbetejet e zinkut, të jenë manipuluar kodet doganore në bashkëpunim me doganat dhe të jenë deklaruar si mbetje çeliku?
Ku janë dërguar këto ngarkesa?
Sa janë rastet në vitet e fundit?
Qytetarët duan transparencë, duan të vërtetën, duan drejtësi.