Një 38-vjeçar shqiptar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet si pjesë e një skeme për përvetësimin e një mjeti luksoz “Audi” me vlerë 200 mijë euro të marrë më qira në Gjermani.
Në pranga ka përfunduar Elvis Kosova si dhe shtetasi turk Yecehan Er., që kishte marrë me qira makinën.
39-vjeçari turk ka marrë me qira makinën tip “Audi” në Gjermani dhe pasi ka ardhur në Shqipëri ia ka dhënë Elvis Kosovës. Pas kësaj ai ka bërë kallëzim në Gjermani se ia kanë vjedhur makinën.
Njoftimi
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Finalizohet operacioni policor i koduar “R 8”.
Bëri kallëzim të rremë, për qëllime përfitimi, për vjedhjen e një automjeti tip “Audi” të cilin e kishte marrë me qira në Gjermani, arrestohet autori i dyshuar.
Arrestohet gjithashtu 38-vjeçari që mori automjetin dhe shpallet në kërkim pronari i banesës ku u gjet i parkuar automjeti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R 8”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. E., 39 vjeç, banues në Gjermani, dhe E. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit J. H., 20 vjeç, banues në Prush.
Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip “Audi”, në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ja kanë vjedhur në afërsit të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.
Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit J. H., i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”