Qeveria talibane në Afganistan ka ndaluar artet e përziera luftarake (MMA), duke besuar se janë joislame, tha dikasteri i sporteve i ekzekutivit.
Urdhri për ndalim i është dorëzuar policisë së “moralit” të Afganistanit, që është në kuadër të Ministrisë së Promovimit të Virtytit dhe Parandalimit të Vesit. Sipas njoftimit, ky vendim u mor pasi u hetua një ankesë e bërë ndaj këtij sporti për të parë nëse përputhet me Ligjin islamik apo Sheriatin.
“U gjet se sporti është problematik sa i përket respektimit të Sheriatit dhe ka shumë aspekte që janë në kundërshtim me mësimet e islamit”, tha autoriteti qeveritar i talibanëve për sport.
“Prandaj është marrë vendimi për të ndaluar artet e përziera luftarake në Afganistan”.
Një zyrtar i autoriteti i sportit tha për mediat lokale se MMA-ja u ndalua pjesërisht sepse konsiderohet shumë i dhunshëm dhe rrezikon të shkaktojë lëndime apo vdekje.
Talibanët u rikthyen në pushtet më 2021 dhe që atëherë po zbatojnë një interpretim të ashpër të Ligjit të Sheriatit.
Së fundi ata kanë miratuar një ligj për moral, që formalizon shumë rregulla sa i përket sjelljes dhe veshjes.
Artet luftarake janë sporte të popullarizuara në Afganistan.
Katër nga 11 afganët që morën pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit ishin atletë të arteve luftarake./REL