Vendosni fjalën kyçe....

Vrau 24-vjeçarin në Tropojë, vetëdorëzohet autori, pranga dy personave në Fier e Durrës


Një 40-vjeçar është vetëdorëzuar në Tiranë pasi akuzohet për vrasjen e një 24-vjeçari dhe plagosjen e dy të tjerëve në fshatin Breg-Lumë të Tropojës më 11 korrik 2024.

Në pranga ka përfunduar Saimir Sadiku i cili akuzohet për vrasjen e Adrian Pepkolajt.

Njoftimi

“Vihet në pranga shtetasi S. S., i akuzuar për vrasjen e një 24-vjeçari, më datë 11.07.2024, në një lokal në fshatin Breg-Lumë. Pas kontrolleve të shumta të kryera nga Policia e Tiranës dhe negociatave, ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Tiranë. Një ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi 5 shtetas që përkrahën shtetasin S. S., pas vrasjes me mjete prerëse të 24-vjeçarit dhe të plagosjes së dy shtetasve të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Shtetasi S. S. akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.”

Një 48-vjeçar është arrestuar në Fier me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi është dënuar me 9 vite burg për vepra të ndryshme penale.

I arrestuari është Altin Stopani alias Erion Veliu, i cili është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim për prostitucion.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 14”, kapi në Fier dhe vuri në pranga shtetasin Altin Stopani alias Erion Veliu, 48 vjeç, i lindur në Fier. Në vitin 2012, autoritetet gjyqësore në Itali e kanë dënuar këtë shtetas me 9 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim për prostitucion, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Një 33-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi ishte shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 24-vjeçari.

Plagosja për të cilën akuzohe Ilir Buçeza ka ndodhur në fshatin Shënavlash ku i riu qëlloi me armë djalin e xhaxhait.

Njoftimi

“Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënavlashi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim. Plagosi me armë zjarri, një 24-vjeçar, rreth 3 muaj më parë, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari. Si rezultat i kërkimeve dhe administrimit të informacioneve të inteligjencës policore, të kryera në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Sektori kundër Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës lokalizoi, kapi dhe vuri në pranga shtetasin Ilir Buçeza, 33 vjeç. 33-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, më datë 30.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet së më datë 21.05.2024, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Shënavlash, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin E. B., 24 vjeç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.”