Vendosni fjalën kyçe....

Katër banka shqiptare do të japin një kredi të përbashkët prej 110 milion eurosh për Ayen Energji


Katër banka tregtare shqiptare do t’i japin kompanisë Ayen AS Energji kredinë më të madhe sindikale në historinë e sektorit bankar shqiptar.

Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka OTP Albania, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri dhe Tirana Bank do të disbursojnë një kredi në vlerën e 110 milionë eurove në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik. Qëllimi i kredisë do të jetë rifinancimi i një kredie ekzistuese që kompania në fjalë ka marrë nga banka turke Türkiye İş Bankasi (İş Bank)

Ayen AS Energji ka firmosur fillimisht një kontratë huaje me İş Bank në shkurt 2014, me vlerë 128 milion euro. Kjo kontratë u ndryshua më korrik 2015 dhe shuma e huasë u rrit në 158 milion euro dhe në nëntor 2016 shuma e kredisë u rrit në 178 milion euro.

Megjithatë, huaja nuk u shfrytëzua e gjitha dhe duke përfshirë shlyerjet e principalit gjatë viteve të mëparshme, në fund të vitit 2023 detyrimi total ndaj İş Bank ishte rreth 11.5 miliard lekë. Kjo shumë do të shlyhet nëpërmjet kredisë së siguruar nëpërmjet bankave shqiptare, që do t’i ofrojnë kompanisë me kapital turk kushte më të favorshme.

Objektivi kryesor i Shoqërisë Ayen AS Energji është planifikimi, ndërtimi, mirëmbajtja dhe operimi i tre hidrocentraleve me një kapacitet të instaluar prej afërsisht 110 MW në kaskadën e lumit Fan në Mirditë dhe shitjen e energjisë elektrike të prodhuar prej tyre.

Kompania e nënshkroi marrëveshjen koncesionare me qeverinë shqiptare në maj të vitit 2013, ndërsa një shtesë në kontratën e mësipërme u nënshkrua në janar 2017.

Marrëveshja e Konçesionit është e tipit BOT (Ndërtim-Operim-Transferim) dhe do të zgjasë për një periudhë prej 41 vjetësh, me të drejtë zgjatjeje automatike, pas përmbushjes së disa kushteve të përcaktuara në marrëveshjen e koncesionit. Sipas marrëveshjes, shoqëria është e lejuar që të furnizojë prodhimin neto të energjisë elektrike brenda ose jashtë Shqipërisë.

Ayen AS Energji e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e afërsisht 1.1 miliard lekëve, në rënie me 69% krahasuar me fitimin prej gati 3.5 miliard lekësh të siguruar një vit më parë.

Aksioneri kryesor i shoqërisë është Ayen Enerji Anonim Sirketi, kompani turke e sektorit të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, me filiale të saj në Turqi, Shqipëri, Slloveni dhe Serbi. Ayen Enerji është pjesë e grupit turk të biznesit Aydiner. Familja Aydiner zotëron 83% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër janë të listuara në Bursën e Stambollit.

Kreditë e përbashkëta “ndjekin” PPP-të

Kreditë sindikale janë një instrument që po gjejnë përdorim të zgjeruar nga bankat tregtare shqiptare në vitet e fundit. Ato po shfrytëzohen kryesisht për financimin e projekteve të partneritetit-publik privat në infrastrukturën rrugore. Vitin e kaluar, Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank miratuan një linjë kredie të përbashkët shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Kredia kishte fillimisht vlerën e 26 milion eurove, ndërsa në mars të këtij viti palët nënshkruan edhe një shtesë prej 4 milion eurosh në kontratën e huasë.

Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milion eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.

Në raste të tjera, financimi i PPP-ve është marrë përsipër nga një bankë e vetme.

Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën e 9.5 miliard lekëve te kompania “Gjoka 87”, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare. Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milion euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.

Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë. Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka ofruar tashmë përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë.

Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore e dhënë nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri, pasuri të paluajtshme të huamarrësit, dorëzania e aksionerëve, etj.

Kreditë sindikale përdoren nga bankat si një instrument për të ndarë rrezikun dhe për të financuar projekte të mëdha që, përndryshe, një bankë e vetme lokale nuk do të mund t’i financonte./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor