Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon ministrin Balla: Mburoja politike dhe përfituesi kryesor i narko-eurove nga klani Toyota Yaris


Kryetari i PD, Sali Berisha thotë se dosja ‘Metamorfoza’ përfaqëson vetëm majën e ajsbergut gjigand mbi të cilin noton shteti dhe vetë Shqipëria.

Sipas Berishës, bisedat dëshmojnë se në Shqipëri vrasësit serialë, ministrat, prokurorë, gjykatësit, kryepolicët, policët funksionojnë si një ansambël krimi.

Teksa veçoi dosjen Toyota Yaris, Berisha theksoi gjithashtu se Taulant Balla është mburoja politike dhe përfituesi kryesor politik i trafikut të narko-eurove dhe drogës nga klani Toyota Yaris.

 

“Mirëdita!

Të dashur qytetarë dhe qytetare,

Keni dëgjuar për bisedat me telefona të kriptuar, të dekriptuara nga shërbimet e zbatimit të ligjit të Francës, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera perëndimore. Këto biseda dëshmojnë se në Shqipëri vrasësit serialë, ministrat, prokurorë, gjykatësit, kryepolicët, policët funksionojnë si një ansambël mosntruoz krimi.

Dua t’ju informoj se kjo që keni dëgjuar deri më sot në dosjet ‘Metamorfoza’ përfaqëson thjesht majën e atij ajsbergu gjigand mbi të cilin noton shoqëria, shteti dhe vetë Shqipëria.

Miqtë e mi!

Të gjithë keni dëgjuar për aferën Toyota Yaris. Keni dëgjuar se këto ditë kjo dosje u dorëzua në gjykatë, por dua ta dini se kjo dosje është dorëzuar e gjymtuar, pasi personazhi më kryesor në Toyota Yaris, pas trafikantëve, vjen ministri kriminel, Taulant Balla. Taulant Balla është një vizitor i rregullt i hotelit të Alfred Vladit në Sarandë.

Taulant Balla është mburoja politike dhe përfituesi kryesor politik i trafikut të narko-eurove dhe drogës nga klani Toyota Yaris.

Pasi u mbyll kjo çështje në mënyrën më korruptive nga organet e drejtësisë shqiptare, dosja u hap përsëri

Dhe aty dalin, jo vetëm Zarka, por edhe 4 prokurorë të tjerë dhe gjykatës të implikuar njëlloj, sa Zarka dhe më shumë se Zarka në dosjen Toyota Yaris. Aty del Taulant Balla njeri kryesor në këtë trafik. Mirëpo, të dhënat për Taulant Ballën me bekimin e mercenarit Dumani i kanë përgjysmuar në dosje gjykatësja kriminele me katër mbiemra, Irena Gjoka, etj.

Duart e tij të zeza në dosje i ka futur edhe prokurori i SKAP-it, Kondili, por as falsifikimet dhe manipulimet e Gjokës, as fshehjet e Kondilit nuk lehtësojnë veprën kriminale të ministrit kriminel, Taulant Balla, “tha Berisha.