Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja kundër Albin Kurtit për aksionin në veri: Vë në rrezik qytetarët e ushtarët e KFOR-it


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara dhe zhgënjyera për aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri, për mbylljen e strukturave paralele në komunat veriore.

Në një reagim të ambasadës amerikane në Kosovë aksioni i së premtes në veri është cilësuar si “vijimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.

Në reagim është thënë se ky aksion “nuk ka qenë i koordinuar me asnjë element të komunitetit ndërkombëtar”,  shkruan Koha.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhet në reagim.

Në reagim, ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtarisht”.

SHBA-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës po e instrumentalizon Policinë dhe se nuk po i qëndron premtimit për “konsulta dhe koordinim të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”.

Në këtë komunikatë, SHBA-ja ka thënë po ashtu se këto veprime të Qeverisë së Kosovës do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet vartëse të saj.

Të premten pasdite, Qeveria e Kosovës njoftoi se në një aksion të Policisë së Kosovës janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në katër komunat në veri të vendit.