Vendosni fjalën kyçe....

Ujësjellësit, 91% e subvencioneve të qeverisë shkuan për borxhe energjie


Shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve në vend arritën të gjeneronin 10.3 miliardë lekë të ardhura në vitin 2023 apo më shumë se 100 milionë euro por shumica prej tyre ende nuk mbulojnë kostot e tyre operative.

Në mbështetje të shoqërive ku pjesa më e madhe i janë nënshtruar reformës së bashkimit qeveria shpërndau 310 milionë lekë apo më shumë se 3 milionë euro në formën e subvencioneve. Raporti i Performancës i Entit Rregullator të Ujit nënvizon se jo shumë subvencionesh është ulur me 50 milionë lekë apo 500 mijë euro krahasuar me një vit më parë. Përfitimi i subvencioneve bëhet vetëm ps plotësimit të disa kushteve.

“Për këtë vit, subvencione kanë përfituar vetëm gjashtë shoqëri UK Rajonale, respektivisht, Durrës, Elbasan, Fier, Lezhë, Shkodër, Vlorë. Shoqëritë e reja rajonale të krijuara dhe regjistruara brenda vitit 2023, UK rajonale Shkodër dhe Vlorë janë subvencionuar me 30.000.000 lekë, pjesa e mbetur e fondit të subvencionit është përdorur për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike për shoqëritë që e kanë mbi 75% të prodhimit me ngritje mekanike si dhe ato shoqëri që kanë krijuar detyrime të reja për energjinë gjatë vitit 2023 për shkak të kostove të larta të energjisë, kriter i cili është zbatuar për të subvencionuar shoqëritë Rajonale UK Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë.

Kjo lidhet edhe me strategjinë e qeverisë qendrore e cila i ka dhënë prioritet me mbështetje financiare shoqërive UK të cilat janë bërë pjesë e reformës sipas VKM nr. 302 ku MIE/AKUK është aksionare me 51% të aksioneve” thuhet në raport.

Ndërkohë, kanë mbetur pa marrë fonde nga qeveria qendrore shoqëritë që nuk janë bashkuar ende, përkatësisht: UK Tiranë, UK Vorë dhe UK Kamëz të cilat përbëjnë 1 shoqëri UK Rajonale.

Po ku kanë shkuar kryesisht paratë e subvencioneve? Sipas raportimit shpërndarja e subvencioneve është bërë 90.8% për mbulimin e kostove të energjisë elektrike, 4.6% për sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, 4.5% janë shpërndarë për paga të papaguara dhe 0.1% për tatime e taksa të papaguara.

Raporti i ERRU ndalet edhe tek shoqëritë që kanë rritje të përgjithshme të të ardhurave. Nga 10.3 miliardë që ishte totali shifra ka një rritje me 104 milionë në raport me një vit me parë.

Shoqëritë Rajonale UK që kanë rritjen më të madhe të të ardhurave janë UKR Durrës (+101 milion lekë), për shkak të rritjes së numrit të lidhjeve FU dhe KUN si dhe rritjes së nivelit të faturimit dhe eliminimit të lidhjeve të paligjshme nëpërmjet task-forcës; UKR Lushnje (+48.5 milion lekë), kryesisht për shkak të rritjes së numrit të lidhjeve FU (+801 lidhje).

Të tjera shoqëri me të ardhura më të larta, krahasuar me vitin paraardhës janë: UKR Pogradec (+43.1 milion lekë), UKR Sarandë (+26 milion lekë), UKR Lezhë (+22.3 milion lekë), UKR Berat (+19.3 milion lekë), UKR Fier (+17.3 milion lekë), UK Vorë (+14.9 milion lekë) dhe UK Kamëz (+ 7.9 milion lekë), UKR Dibër (4.7 milion lekë) dhe UKR Shkodër (2.9 milion lekë).

Të gjitha shoqëritë e tjera kanë rënie të të ardhurave krahasuar me vitin paraardhës, duke filluar nga UK Tiranë (-73 milion lekë), UKR Vlorë (-69.7 milion lekë), UKR Elbasan (-44.9 milion lekë), UKR Korçë (-7.9 milion lekë), UKR Kukës (-5 milion lekë) dhe UKR Gjirokastër (-4.1 milion lekë).

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e revistës Monitor