Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, është kërcënuar mbrëmjen e 30 gushtit 2024 për shkak të detyrës. Policia ka arrestuar pesë persona dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë, të gjithë banues në Krujë. Mesohet se një prej kërcënuesve ka qenë presidenti i Klubit Iliria, Nazmi Selmani.
Ndërkaq në pranga u vunë dhe shtetasit Redian Haxhi, Petrit Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani, ndërsa A.S. (24 vjeç) dhe A.S. (39 vjeç) janë proceduar në gjendje të lirë.
Sipas policisë, personat e dyshuar i kanë dërguar Dukës një kërcënim me mesazh dhe më pas janë shfaqur pranë banesës së tij në Durrës. Pas njoftimit, policia ndërhyri dhe arrestoi të dyshuarit. Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
‘Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë.
Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.’- njofton policia.