Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëshorti tentoi të djegë me benzinë 31-vjeçaren në Korçë, ministrja Koçiu: U sulmua nga një “burrë” frikacak


Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Korçë, ku një burrë dogji me benzinë ish-bashkëshorten e tij, Melisa Trëndafilin. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu ka shprehur mbështetje për Melisën, e cila aktualisht është nën trajtim intensiv në Shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT.

Koçiu ka inkurajuar institucionet përgjegjëse të ndalin dhe dënojnë maksimalisht autorin e sulmit, Bledar Trëndafilin. Ajo ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet dhe se është e nevojshme një përpjekje e përbashkët për të parandaluar ngjarje të tilla.

Në deklaratën e saj, Ministrja Koçiu shprehu solidaritetin e saj me familjen e Melisës dhe theksoi angazhimin për të luftuar dhunën dhe për të mbështetur viktimat.

“Mjeket e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisën, vajzën, nënën e dy femijëve të vegjël nga Korça, e cila u sulmua sot në mënyrë brutale nga një “burrë” frikacak, që duhet të ishte krahë saj për ta mbështetur në rritjen e edukimin e fëmijëve, por që sot në mënyrë tinzare vendosi të kthehet në agresorin e saj, nënës së fëmijëve të tij.

E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë.

Do të qëndrojmë kundër dhunës dhe mbështesim të gjithë ato gra që bëhen viktima të këtyre “burrave” që meritojnë ndeshkim maksimal. Kjo është një betejë që askush nuk e fiton dot vetëm, ndaj bashkë duhet të punojmë shumë e të bëjmë të pamundurën, të parandalojmë ngjarje si kjo e sotmja”, u shpreh ajo.