Prezantimi i bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në mesin e komunitetit arbëresh në Siçili, ku ishte e pranishme edhe Elisa Spiropali ka ngjallur debat dhe akuza ne rrjet.
Sipas Alban Çakallit, i cili thotë se është marrë me skulpturë për shumë vite, busti i Skënderbeut i prezantuar në ceremoninë e organizuar, nuk përfaqëson figurën e heroit, por ka ngjashmëri të madhe me fytyrën e kryeministrit Edi Rama.
Çakalli, përmes një postimi në Facebook, pretendon se skulptori ka përdorur tiparet e Ramës për të krijuar bustin e Skënderbeut. Ai shprehet se skulptori duhet të japë shpjegime për këtë zgjedhje.
“Po shikoja Elisën që kishte shkuar me ngrit bustin e Ramës në Itali te Arbëreshët. Jam marrë shumë vite me skulpturë, dhe e njoh deri diku skulpturën. Ju them me plot bindje që ky busti është Rama identik. Skulptori që e ka bërë duhet të japë shpjegime se përse ka vendorsur ta bëjë Ramën me përkrenaren e Skënderbeut”, shkroi ai në facebook.
Gjithashtu edhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha e quajti aktin një “poshtërim anti-kombëtar”, duke akuzuar se fytyra e Skënderbeut është zëvendësuar me atë të kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e përshkroi si “narko-trafikant”. Sipas Berishës, kjo përbën një përdhosje të figurës historike të Skënderbeut dhe një sulm ndaj historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“Një akt poshtërues anti-kombëtar! Transformimi i pamjes së Skënderbeut, zëvendësimi i fytyrës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu me surratin e narko-trafikantit Edi Rama është një përdhosje e figurës së Skenderbeut, historisë tonë dhe mbarë kombit shqiptar. Kjo do të ishte njëlloj sikur të zëvendësosh fytyrën e Bolivarit me fytyrën e Eskobarit”, u shpreh Berisha.
Një komentues shkruan “Më bëjnë sytë mua apo më duket sikur ky në foton majtas duket si KM I Shqipërisë? Se si Skënderbeu jo e jo…Skënderbeu është foto djathtas..Skulptori i kësaj vepre çka do të na thoj? Pse ka vënë fytyrën e tij? Dhe pse Spiropali na ish veshur si Donika? Mi jep njeri përgjigje se unë s’po arrij ta kuptoj…vetëm di që Spiropali ka shumë dëshirë të jetë Donika se ajo i flet Skënderbeu atij”.
Një tjetër komenton se ai duket si “version viking”, ndërsa një tjetër shkrehet se “ky është Skënderbeu sipas Spiropalit.