Prezantimi i bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në komunitetin arbëresh në Siçili, ka shkaktuar një debat në rrjetet sociale.
Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti këtë akt një “poshtërim anti-kombëtar”, duke akuzuar se fytyra e Skënderbeut është zëvendësuar me atë të kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e përshkroi si “narko-trafikant”.
Nga ana tjetër, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka reaguar ndaj këtyre akuzave. Ai i është përgjigjur Berishës duke pyetur: “Çfarë faji kanë arbëreshët dhe skulptori Gëzim Muriqi që vendosën bustin e Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve, në prani të Kryetares së Kuvendit?”. Balla përfundoi me një koment ironik, duke thënë: “Nuk thonë kot mendja gjë e madhe”.
“Po çfarë faji kanë arbëreshët në Itali bashkë me skulptorin e mirënjohur nga Kosova Gëzim Muriqi, që kalit gërmuq të Rrugës së Shpresës së kotë dhe kujdestarëve të patkonjve të tij, u fanepset Edi Rama kur shohin Skënderbeun e vendosur para pak ditësh në Horën e Arbëreshëve, në prani të Kryetares së Kuvendit që ishte e ftuara e tyre e nderit?!Nuk thonë kot mendja gjë e madhe”, përfundon ministri.