Zbërthimi i bisedave në SkyECC në dosjen e grupit Çopja, tregon aspekte të mënyrës sesi funksiononte grupi lidhur me ngjarjet kriminale ku ishte i përfshirë dhe pagesën që u bënte gazetarëve për të devijuar ose fshehur ngjarjet.
Sipas përgjimeve, ata orientonin gazetarët e kronikës sesi duhet të silleshin në daljet publike duke u ofruar shuma të mëdha.
Në një bisedë në SkyECCmes Franc Çopjes dhe një personi tjetër, ky i fundit e informon Çopjen se është takuar me gazetarin dhe se ai i ka kërkuar 120 mijë euro, shkruan Shqiptarja.
Në dosje thuhet se gazetari e ka pyetur se cilët persona nuk duhet të përmendë lidhur me atentatin e vitit 2018 të Rrethrrotullimi i Bradasheshit ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Dyranaj, ngjarja që sipas prokurorisë është porositur dhe organizuar nga vëllezërit Çopja.
Sipas përgjimit, Çopja i ka kthyer përgjigje që për këtë ngjarje nuk duhet të përmenden Hajdar Bakon, Talo Çelën dhe Altin Ndocin.
“Më datë 23.07.2020, përdoruesi i kodit X që është i paidentifikuar, informon Franc Çopjan, se është takuar me personin (e tretë) që është gazetari, i ka kërkuar shumën prej 120.000 Euro si dhe e ka pyetur se cilët persona nuk duhet të përmendi. Franc Çopja. i ka shkruar mikut të tij, se gazetari nuk duhet më të flasë për Darin (Hajdar Bako), Kelin (Mikel Qosen) Talon (Talo Çela) dhe Altinin (Altin Ndoci), të gjithë personat që janë me grupin kundër Tarzanit (Endrit Alibej).” – thuhet në bisedën e zbardhur.
Në dosjen e zbardhur dalin edhe bisedat mes anëtarëve të bandës pas vrasjes së trefishtë.
Sipas dosjes, ata kanë identifikuar edhe një tjetër gazetar i cili ka bërë një lajm në lidhje me urdhërarrestet, po sipas bisedave ky lajm nuk ishte i saktë, por i servirur nga grupi kundërshtar.
Biseda është bërë dy vjet pas ngjarjes, në vitin 2020.
“Më datë 08.10.2020, shtetasi Hajdar Bako bisedon me shtetasin Talo Çela , ku nga natyra e mesazheve që ai (Hajdar Bako) i dërgon shtetasit Talo Çela, kuptohet se flitet për një lajm të publikuar sipas të cilit ndaj tyre janë lëshuar urdhër arreste. Gjithashtu flasin edhe për median ku është publikuar si dhe gazetarin i cili mund të ketë shkruar këto lajme. Referuar mesazheve që shtetasi Hajdar Bako i dërgon shtetasit Talo Çela, kuptohet se Talo Çela i’a ka dërguar Hajdar Bakos lajmin e publikuar ku flitet për grupin e tyre. Në vijim të komunikimit ndërmjet tyre shtetasi Hajdar Bako shprehet se, e ka parë lajmin, nuk ka urdhër arreste. Hajdar Bako i thotë Talo Çelës se është interesuar nëse ka diçka të vërtetë dhe i kanë thënë se është lajm kot. Hajdar Bako shprehet se ku dolën provat pas 3 vjetësh?! Sipas Hajdar Bakos, ky lajm nuk është te faqja e policisë dhe se lajmin mund ta ketë dhënë grupi tjetër rival.”