Vendosni fjalën kyçe....

Mbaron pas tetë orësh takimi i Ramës me ministrat në Dajt


Ka përfunduar pas tetë orësh mbedhja e qeverisë në Dajt. Takimi nisi në orën 10 të mëngjesit ndërsa në të morën pjesë ministrat, kryetarja dhe nënkryetari i Kuvendit, kreu i grupit parlamentar si dhe drejtorët e institucioneve në varësi të kryeministrit.

Ndër çështjet kryesore që janë diskutuar gjatë tëtëorarëshit, kanë qenë strategjia e komunikimit deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, me mediat, publikun dhe institucionet.

Çështje tjetër në vëmendje ka qenë edhe integrimi i vendit në BE.

Dy ditë më parë në forumin e Pragës, kryeministri Rama tha se Shqipëria synon të anëtarësohetnë BE deri në vitin 2030.

Takimi i Dajtit vjen mes skandalit më të fundit lidhur me 816 ton mbetje toksike të nisura nga Shqipëria e të kapura në Tajlandë.

Ngarkesa nuk dihet ende me siguri se çfarë është dhe pas kthimit të dy anijeve në Portin e Durrësit pritet të kryhen analizat.

Zyrtarisht çështja po hetohet nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Elbasanit ndërsa dyshohet se mbetjet toksike janë të kompanisë turke që operon te ish-Metalurgjiku në Elbasan dhe janë transportuar deri në Portin e Durrësit nga kompania “Sokolaj”.

Ministret Balluku e Kumbaro thanë në një deklaratë të përbashkët se mbetjet nuk do shkarkohen deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë në një dalje të fundit ministrja e Infrastrukturës Balluku bëri përgjegjëse koncesionarin e Portit të Durrësit, kompaninë EMS.

Kjo e fundit nga ana e saj e hoqi përgjegjësinë nga vetja duke deklaruar se nuk mban përgjegjësi për cilësinë e lëndëve po vetëm për ngarkim-shkarkimin e tyre.

Ndërkohë kompania Kurum ka ndëprerë prej disa ditësh punën me pretendimin se ka probleme ekonomike duke hedhur në rrugë 500 familje.

Hashtag.al ka mësuar se të paktën që prej vitit 2022, inteligjenca ushtarake e vendeve thuajse partnere të Shqipërisë, po e mbikëqyrin kompaninë Kurum për tregti të paligjshme me Iranin, që është nën sanksione nga SHBA-ja e vende të tjera perëndimore.