Vendosni fjalën kyçe....

Mjerimi si mungesë e “shpirtit publik”


Nga Irena Beqiraj

Kur në vitin 1955 një intervistues i shpjegoi një mësuesi të ri të Montegranos , një qyteze në jug të Italisë, se një person “me shpirt publik” është ai që vepron për mirëqënien e të gjithë komunitetit dhe jo vetëm për veten e tij, mësuesi tha:

“Askush në qytet nuk është i pajisur me dëshirën për të bërë mirë për të gjithë komunitetin. Edhe nëse ndonjëherë ekziston dikush që në dukje ka dëshirë, në realitet ai është i interesuar për mirëqënien dhe përfitimet e tij. Edhe shenjtorët, me gjithë përulësinë e tyre, u kujdesën vetëm për veten e tyre.”

Rregulli shoqëror i qytetarëve të Montegranos në vitin 1955 dukej i thjeshtë: “Maksimizo përfitimet materiale individuale dhe afatshkurta, sepse të gjithë të tjerët bëjnë të njëjtën gjë.”

Sociologu Ed Banfield dokumentoi sjelljen shoqërore të qytetarëve të Montegranos edhe me pak fjalë ai zbuloi se pa përjashtim, qytetarët e rrethinës në Jug të Italisë nuk kujdeseshin fare për askënd jashtë familjes së ngushtë dhe horizonti i tyre kohor ishte i kufizuar vetëm në të ardhmen e afërt. Përvec kësaj ai vuri re se në qytezë mbizotëronte një pesimizëm i vazhdueshëm dhe një frikë deri në palcë jo vetëm nga humbja e mundësive të mbijetesës, por edhe nga humbja e statusit shoqëror. Ishte mungesa e “shpirtit publik” e cila krijonte mungesën e kapaciteteve politike.

Teksa lexoni këto rreshta, përtej ngjashmërisë me karakteristikat e shoqërisë së sotme shqiptare, secili prej jush mund të radhisë shkatarët e zakonshëm të kësaj sjellje shoqërore duke renditur varfërinë, mungesën e arsimimit, ndarjen klasore, fatalizmin apo mungesën e shpresës.

Po nuk po gaboheni, është e vërtetë! Njerëzit ishin të varfër në Montegrano. Po ashtu njerëzit ishin të paarsimuar, por ata nuk ishin as budallenj, as injorantë. Burrat dhe gratë në Amerikën nga vinte Banfield ishin po aq të paarsimuar, por megjithatë “kapaciteti i tyre për vetëqeverisje ishte jashtëzakonisht më i madh.”

Ishte e dallueshme ndarja klasore në Montegrano, por ajo nuk ishte antagoniste. Njerëzit ishin fatalistë edhe shprehnin hapur mungësën e shpresës, por në të njëjtën kohë ata ishin plotësisht në gjendje të merrnin vendime dhe të vepronin kur e gjykonin të nevojshme.

Atëherë çfarë e shkaktonte këtë mungesë kapaciteti për vetëqeverisje dhe zhvillim në këtë shoqëri? Shpjegimi alternativ i Banfield I kapërcen “shpjegimet e zakonshme”dhe përqëndrohet tek kriteri ku bazohen vendimmarrjet sociale.

Paaftësia për të menduar përtej vetes, familjes, jetës private, pasqyron një gjendje të prapambetur dhe të papjekur të mendjes njerëzore dhe një pengesë po aq themelore sa varfëria dhe inoranca për zhvillimin. Maksimizimi i përfitimit afatshkurtër për familjen e ngushtë, duke injoruar tërësisht përfitimet (dhe kostot) afatgjata si dhe çdo ndikim tjetër që vinte nga jashtë familjes, ishte mjerimi i vërtetë  ku jetonin qytetaret e Montegranos.

Të vetmuar edhe të paaftë për t’u mbështetur në ndonjë mënyrë tek njëri tjetri-tjetri, u krijonte atyre ndjesinë se ishin në buzë të greminës.

Megjithatë, në vend që të përpiqeshin të krijonin lidhjet sociale për të siguruar një rrjet sigurie, ata vazhdimisht i shikonin fqinjët e tyre me dyshim. Kështu, qyteza ishte i mbushur me një “melankoli”, që ushqehej nga zilia, njësoj si tek fabula jonë ku dëshira magjike e fqinjit ishte të ngordhte lopa e fqinjit tjetër.

Kur njerëzit adresojnë shqetësime publike vetëm kur kanë potencial për përfitime individuale duke shkatërruar në këtë mënyrë çdo mundësi për veprim kolektiv, kjo premisë formëzon të gjitha marrëdhëniet e tjera në shoqëri, që nga sjellja e politikanëve , nëpunësve civilë, gjykatësve, medias, bizneseve e deri tek vendimi për të votuar duke shkatërruar të gjitha mundësitë për ndryshim konkret.

Konteksti i përgjithshëm i mosbashkëpunimit dhe ndjekja fanatike vetëm e interesave private e bën ligjin më pak të zbatueshëm, ndërsa i vetmi përafrim me udhëheqjen dhe politikën mbetet marrëdhënia midis padronit dhe skllavit. Në këto kushte shoqëria është e destinuar të mbetet e prapambetur, njerëzit të burgosurit e interesave të tyre personale dhe mjerimi nuk është më vetëm një çështje ekonomike.

Dallimi midis nivelit të ulët të jetesës dhe mjerimit vjen pikërisht nga kultura. Kultura i bën njerëzit ‘kronikisht të pakënaqur’ më shumë se çdo tjetër shkak social-ekonomik, edhe ndryshimin të pamundur.

Ndaj në vendin tonë akoma “kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme…dhe askush nuk mund të thotë se këtu rron një popull që ndërton dicka të re” si dikur kur Migjeni shkroi “Flamujt e melankolisë”