Vendosni fjalën kyçe....

“Rama-Balluku 250 milionë euro vjedhje, dyfishuan kostot e Tiranë-Durrës, tuneli i Llogarasë më i kushtueshmi në planet” – Berisha


Ish-kryeministri Berisha denoncoi kryeministrin Rama e ministren Balluku për fryrjen e kostove të projekteve të infrastrukturës.

Në fjalimin e përnatshëm nga dritarja e banesës ai tha se dyshja Rama-Balluku kanë dyfishuar kostot e zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, dyfish atë të bypass-it të Elbasanit si dhe të rrugës Tiranë-Plepa.

Ndërsa tunelin e Llogarasë, kreu i PD-së e cilësoi si më të kushtueshmin e planetit.

“Miqtë e mi, shtatori la prapa një verë e cila, siç ishte me temperaturat e papara më parë, ishte dhe me shpërthimin e botës së krimit, vjedhjeve si asnjë verë tjetër në histori. Gjatë kësaj vere, mbi 60 qytetarë shqiptarë u vranë në rrugët e vendit nga klanet kriminale, ose u vetëvranë në banesat e tyre. Gjatë kësaj vere rendi ishte në duart e krimit. Gjatë kësaj vere qeveria mori vendime në të cilat vodhi haptas qindra e qindra milionë euro. Vetëm tre javë më parë në një vendim, dyshja famëzeze Rama-Balluku rritën me 2.2 herë faturën e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, faturën e rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa. Rritën me 100% faturën e bypasit të Elbasanit. Ndanë mënjanë për të blerë zgjedhjet, jo 10 apo 20, por mbi 250 milionë euro, vetëm me një vendim që e morën në gusht, në piskun e vapës. Kjo ishte vera e inagurimit të tunelit më të kushtueshëm të planetit, tunelit të Llogarasë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë, por e ndërton hajduti i Gjipesë për pronat e tij dhe ryshfetet që ka marrë.” – denoncoi Berisha.