Vendosni fjalën kyçe....

Tallavatë e Gushtit


Nga Auron tare

Ka disa vjet tashmë që në Gusht shumë fshatra në Jug, mbledhin bashkëfshatarë apo të ikur prej kohësh dhe nën logon “Takim Brezash” festojnë.

Në vetvete nisma është për t’u lavdëruar. Është diçka e bukur të kesh mundësi të rikthehesh në gjurmët e të parëve të tu. Një lloj rikthimi në kohë apo në rrëfenjat e gjyshërve.

Gati çdo fshat po e bën këtë ritual pjesë të vetes duke kthyer vëmendjen nga fshatrat e braktisura. Deri këtu bukur fort. Më është dhënë rasti të shikoj nga afër apo nga distanca këto festime. 

Me gjithë dëshirën e madhe për diçka të mirë për atë fshat, kjo mbledhje brezash fatkeqësisht kthehet në një event pa asnjë bosht kulturor apo tradicional. Po ata këngëtarë të dorës së tretë që udhëtojnë  fshat më fshat. Po ato këngë pa asnjë nuancë apo traditë historike.

Një perzierje e lokales me instrumenta elektronike, ku këngët e bukura te Epirit antik, Labërisë apo Toskërisë e kanë humbur origjinalitetin dhe bukurinë e tyre.

Organizimi tipik i njëjtë, ca karrige të klubit të fshatit, drita të bardha si ato që përdoren në spitale, raki apo birra të lira, thirrje apo britma nga të dehurit e rastit dhe në fund ai rrethi i njerëzizë që kapur dorë më dorë nën ritmin e këngëtarit apo muzikës që ka shijen sikur sapo ka dalë nga ndonjë supermarket fshati, kërcejnë kërcejnë ca ritme dhe valle të njëtrajtshme.

I vogël  gjyshja me merrte me vete dhe kështu më ka rënë rasti të vështroj disa dasma në Labëri. Edhe pse varfëri e madhe, kishte shume fisnikëri, respekt për gostinë, rregulla të arta sjelljeje dhe një ruajtje e mrekullueshme e traditës qe dukej se vinte nga antikiteti.

Edhe te dehurit trajtoheshin me respekt. Ndërkohë sot i gjithë elementi i kulturës rurale është shndërruar në një surrugato e cila dukshëm po transformon peizazhin kulturor. 

Bashkuar kjo me soj-soj turlish të Festave Bashkiake te Gjizës, Byrekut, Gështenjave, Miskave, Çeço, Tekno, Verës, Midhjes, Peshkut, Bukë grurit, Bukë misrit  e plot e plot kotësirave të tjera.

Më poshtë një video nga një eveniment i ngjashëm i Klaneve Malësore te Skocisë. Sa respekt për traditën, veshjet, muzikën, kulturën.

Me sa  respekt e veshin kostumin e tyre kombetar dhe ruajnë simbolin e tyre Gajden. Vegël muzikore që dikur shoqëronte  trupat arbërore ne Europë,  sot është zhdukur. Asnjë përpjekje për ta ruajtur apo mbrojtur. Nejse Gushti i Tallavasë kulturore iku. Të presim çdo na shohin sytë Shtatorin e Festave.