Koalicioni VLEN e ka quajtur përpjekje për grusht shteti nismën për shqyrtimin e Ligjit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim zyrtar, koalicioni ipartive shqiptare i ka bërë thirrje qeverisë që të mos e hapë “Kutinë e Pandorës”. Sipas VLEN, kjo nismë vjen nga forca politike që njihen për qëndrimet kundër NATO-s.
“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik.” – thuhet në njoftimin e VLEN
Pjesë e koalicionit VLEN janë katër parti shqiptare. Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit dhe Alternativa e Zeqirija Ibrahimit.