Vendosni fjalën kyçe....

Terrorizuan fshatrat e vranë 7 fëmijë, kapet tufa e ujqërve në Indi (Video)


Një tufë ujqërish që ka terrorizuar dhjetëra fshatra për javë të tëra, duke vrarë shtatë fëmijë dhe një grua dhe ka lënë mbi 25 të plagosur, është gjurmuar dhe kapur nga Departamenti i Pyjeve në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh.

Katër ujqër u kapën gjatë një operacioni 72-orësh të kryer nga 25 ekipe, me dy që mendohet se janë ende në arrati. Të dy janë nën vëzhgim të vijueshëm, sipas autoriteteve.

Teknologjia e përparuar e dronëve dhe qetësuesit u përdorën nga personeli i departamentit të pyjeve dhe policia për të kapur kafshët. Ata do dërgohen më pas në Kopshtet Zoologjike, sipas raporteve.

Zyrtarët kanë marrë gjithashtu masa për sigurimin e fshatrave të prekura. Kjo përfshin vendosjen e dyerve në shtëpitë që nuk i kanë, si dhe ndërgjegjësimin e banorëve vendas.

Sipas fshatarëve të intervistuar nga India Today, ujqërit kanë hyrë në shtëpi dhe kanë rrëmbyer fëmijët. “U përpoqa me dëshpërim ta shpëtoja duke i tërhequr këmbët ujkut, por nuk ia dola. Ujku e tërhoqi zvarrë Firozin rreth 200 metra në një fushë. Kur dhashë alarmin, fshatarët u mblodhën dhe ujku përfundimisht e la në fushë në gjendje të rëndë. Ai u dërgua më vonë në një spital, ku u trajtua për 13 ditë dhe mbijetoi”, u tha gazetarëve nëna e një djali shtatë vjeçar.

Ndërkohë, pamjet vizuale të një ujku të kapur të enjten janë publikuar nga agjencitë e lajmeve.