Është arrestuar 17-vjeçari i rrëfyer për vrasjen e trefishtë në Paderno Dugnano. I vrarë babai, nëna dhe vëllai 12-vjeçar
17-vjeçari që ka rrëfyer vrasjen e babait, nënës dhe vëllait 12-vjeçar në Paderno Dugnano, në provincën e Milanos, është arrestuar nga karabinierët.
Efektivët që fillimisht vajtën në vendin e ngjarjes pas telefonatës së 17-vjeçarit, sekuestruan armën e vrasjes, një thikë kuzhine. Viktimat janë Fabio C., 51 vjeç, kontraktor ndërtimi, gruaja e tij, Daniela A., 49 vjeçe dhe Lorenzo, djali i vogël, 12 vjeç, i vrarë me një thikë kuzhine. Ditën e djeshme, familja kishte festuar ditëlindjen e babait, shkruan Rai News.
Djali më pas ka rrëfyer gjithçka pasi është marrë në pyetje. Filliisht ai tha se kishte vrarë të atin pasi ai kishte qëlluar për vdekje nënën dhe vëllain por më pas adoleshenti ka ndryshuar dëshminë duke pranuar jo vetëm se kishte vrarë të atin, por të gjithë familjen, pa përfshirjen e personave të tjerë.
Nga këqyrja e vendit të krimit ishte përjashtuar prania e personave të tjerë. Vrasjet me sa duket kanë ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjësit dhe fillimisht djali ka shpjeguar se ishte zgjuar në mes të natës duke dëgjuar britmat e nënës dhe vëllait të tij të vogël. Në atë çast ai kishte reaguar duke vrarë të atin.
Djali kishte thënë gjithashtu se kishte hyrë në dhomën e vëllait të tij 12-vjeçar dhe kishte parë të atin të ulur në një karrige me thikën pranë tij dhe kufomat e vëllait të tij të vogël në shtrat dhe nënës së tij në dysheme. Në këtë çast ai kishte marrë thikën dhe kishte goditur për vdekje të atin.
Viktimat u gjetën të gjitha në dhomën e gjumit të 12-vjeçarit, të veshur me rroba nate. Siç konfirmoi prokurori i Monzas, Claudio Gittardi, 12-vjeçari ishte vrarë i pari dhe kishte marrë më shumë plagë.
Familja nuk kishte shfaqur më herët shenja të marrëdhënieve me probleme mes anëtarëve. Fqinjët dhe të njohurit i përshkruajnë ata si një familje e pasur, e qetë, e njohur në qytet si kontraktorë ndërtimi për mbi 20 vjet. Madje në fotot në profilet sociale ata shfaqen si njerëz të shtresës së mesme, që bënin pushime, me fëmijë të përfshirë në komunitet, që merren me sport dhe të kulturuar. 17-vjeçari studion me sukses në gjimnaz dhe luan volejboll: “Një djalë shumë i qetë”.
“Ishte një familje e lumtur. Djali im e njihte mirë djalin e tij dhe kur e dëgjoi lajmin tha ‘është e pamundur’”, tha një fqinj.
“Nuk e besoj se çfarë ndodhi. Djali na ka frekuentuar në të kaluarën, kemi kaluar disa ditë të bukura. Ata sapo ishin kthyer nga pushimet, ishin një familje fantastike”.