Vendosni fjalën kyçe....

Beleri: Në qeli m’u ofrua të hiqja dorë nga mandati në këmbim të lirisë, SPAK-u zgjatim i Ramës


Fredi Beleri në një intervistë për “Syri TV” pas lirimit me kusht nga burgu foli për arrestimin e tij, politikën dhe raportin me drejtësinë.

Beleri tha se SPAK-u është i kontrolluar plotësisht nga Edi Rama. Ai e konsideroi prokurorinë e posaçme zgjatim të policikës.

“Nuk e njoh SPAK sepse SPAK është një  organ i kontrolluar 100% nga Edi Rama. Bëra gabim shumë të madh që iu drejtova SPAK dhe kallëzova një njeri. Nuk i hyj thelbit të çështjes që ka bërë apo jo korrupsion për mua e ka bërë këtë shkelje jo se ka marrë para sepse nuk guxonte Jorgo Goro të merrte para nga Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, mund të jetë i detyruar dhe gabimi i Jorgo Goros ishte që ishte një njeri i bindur i partisë, ishte i emëruar në Himarë, kurrë nuk kishte fituar zgjedhje.

Për mua problemi i Shqipërisë edhe më i madh se ai problemi 45-vjeçar i komunizmit është SPAK-u i sotëm. Është zgjatim i politikës, politika urdhëron dhe ata marrin vendimmarrje.

Unë vuaj me të gjithë këta VIP-at e krimit ku asnjë dosje nuk është e provuar, nuk ka profesionalizëm, janë shkelje në mes të ditës. Ashtu duam ne dhe kaq. Fajtor është ai që provohet me prova dhe jo ai që do politika që do ta heqë nga skena”-deklaroi Beleri.

Beleri zbuloi se gjatë kohës që ishte në burg i është ofruar që në këmbim të heqjes dorë nga mandati i kryebashkiakut t’i jepej liria.

“Javën e parë në takim me zyrtarë nga partnerët tanë kryesorë, vëllai im dhe djali im më thanë në tavolinë, zgjidhni të bëhet kryetar një nga ju të dy pasi atë nuk e lëmë, të japë dorëheqjen të dalë nga burgu. Nuk e kam pranuar. Të gjithë e dinë dhe në Athinë dhe në Tiranë. Gjatë këtyre 16 muajve kisha gjithmonë oferta për të dhënë dorëheqjen nga mandati me shkëmbim lirinë time”-tha Beleri.

Beleri theksoi se qytetarët shqiptarë në Bashkinë e Himarës janë të diskriminuar dhe rezultati i zgjedhjeve të fundit erdhi si pasojë e zbritjes së shtetit në terren dhe presioneve mbi votuesit.

“E vërteta duket. Qytetarët shqiptarë në Bashkinë e Himarës janë të diskriminuar. Janë fshatrat më të varfra dhe nuk merret njeri me ta. PS duke qënë e sigurtë për votën e tyre i ka braktisur dhe i ka lënë. Një pjesë e tyre në 2023 votoi ndryshe. Tani zbriti shteti të gjitha ministritë drejtorët dhe kryebashkiakët e jugut dhe bënin presione mbi disa pleq të braktisur në ato fshatra.

Ky ishte rezultati i zgjedhjeve. Nuk ka të bëjë me ndikimin helen, qytetarët kanë dyshtetësi dhe me ata që identifikohen grekë, opozita fitoi me 70%”-deklaroi Beleri.