Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli gjen trupat e 6 pengjeve në Gazë


Izraeli njoftoi të dielën se kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve në Gazë, mes tyre një të ri izraelito-amerikan, i cili u bë një nga robërit më të njohur të mbajtur nga grupi militant Hamas, ndërsa prindërit e tij u takuan me udhëheqës botërorë dhe kërkuan lirimin e tij.

Gjetja e trupave nxiti thirrje për protesta masive kundër Kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin shumë izraelitë e fajësojnë për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje me Hamasin për kthimin e pengjeve gjallë.

Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se grupi militant Hamas do të mbajë përgjegjësi për vrasjen me gjakftohtësi të pengjeve dhe e fajësoi atë se po pengon arritjen e një armëpushimi.

Netanyahu tha se ishte tronditur deri në thelb nga ajo që sic e quan ai, ishte “vrasje e tmerrshme gjakftohtë e gjashtë prej pengjeve “. Ai gjithashtu theksoi se “ata që vrasin pengjet nuk duan një marrëveshje”.

“Tre muaj më parë, më 27 maj, Izraeli ra dakord për një marrëveshje për lirimin e pengjeve me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Hamasi refuzoi.”

Ai shtoi se qeveria izraelite dhe ai personalisht, janë “të përkushtuar të vazhdojnë të punojnë drejt një marrëveshjeje që do të kthejë të gjithë pengjet tanë dhe do të garantojë sigurinë dhe ekzistencën tonë”./CNN