Kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ka deklaruar se Serbia synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian me të drejta të barabarta, por theksoi se do të mbrojë interesat e saj kombëtare. Ai sqaroi se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi nuk beson në këtë lloj politike.
Kryeministri serb gjithashtu shprehu respekt për Ukrainën, duke nënvizuar se Serbia njeh integritetin territorial të saj, ndërsa përmendi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, gjë që sipas tij i forcon marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Ne jemi një vend i pavarur me objektivin për t’u bërë pjesë e BE por kemi të drejtën për të mbrojtur interesa kombëtare. Ne nuk bëjmë asgjë pas shpinën. Kemi mendim ndryshe kur vjen fjala për sanksionet. Ne si Serbi patëm sanksione që na imponuam në vitet 90 dhe nuk besojmë te kjo politikë.
Besoj se të gjithë ne duhet të përpiqemi për të parë fundin e konfliktit në Ukrainë, Serbia njeh integritetin territorial të Ukrainës. Ukraina është mike e ngushtë e jona. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kemi një respekt të plotë”, tha Vuçeviç.