Zyrtarët amerikanë thanë se shtytja prej muajsh e Presidentit Joe Biden për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve u përball me urgjencë të dielën pasi forcat izraelite gjetën trupat e gjashtë pengjeve, përfshirë amerikano-izraelitin Hersh Goldberg-Polin, shkruan WP.
Shtetet e Bashkuara kanë biseduar me Egjiptin dhe Katarin për konturet e një marrëveshjeje përfundimtare “ose pranojeni kështu sië është ose lëreni fare ” që planifikon t’ua paraqesë palëve në javët e ardhshme, një marrëveshje që nëse të dyja palët nuk e pranojnë, mund të shënojë fundin e negociatave të udhëhequra nga Amerika, sipas një zyrtari të lartë të administratës, i cili foli në kushte anonimiteti. Zyrtarët e Biden thanë se nuk ishte menjëherë e qartë nëse zbulimi i gjashtë pengjeve do ndikonte që Izraeli dhe Hamasi të arrinin një marrëveshje në javët e ardhshme.
“Nuk mund të vazhdoni ta negocioni këtë. Ky proces duhet të vendoset tani”, tha zyrtari i lartë, i cili tha se Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kishin punuar për propozimin përfundimtar përpara se gjashtë pengjet të gjendeshin të vdekur në një tunel nën qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se gjashtë pengjet u vranë nga Hamasi “pak para se” të zbuloheshin. Zyrtari i lartë i administratës tha se Shtetet e Bashkuara kanë një vlerësim të ngjashëm, duke besuar se të gjashtë pengjet u qëlluan në kokë dhe u ekzekutuan jo shumë kohë përpara se trupat e tyre të zbuloheshin.
Biden dhe ndihmësit e tij të lartë kanë shpenzuar disa muaj papushim duke u përpjekur të sjellin Izraelin dhe Hamasin në një marrëveshje që do shihte lirimin e pengjeve të mbetura të gjalla në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe një armëpushim të përkohshëm në Gaza që ata shpresonin se do vendoste bazat për një fund të përhershëm të luftës.
Drejtori i CIA-s William Burns, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme Brett McGurk janë ndër ata që kanë fluturuar në rajon disa herë dhe kanë punuar me negociatorët e Katarit dhe Egjiptit për të gjetur një marrëveshje.
Brenda Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu po përballet me presion të shtuar nga familjet e pengjeve. Qindra mijëra protestues morën pjesë në protestat mbarëkombëtare të dielën mbrëma dhe sindikata më e madhe e punëtorëve të Izraelit bëri thirrje për një grevë të përgjithshme të hënën, duke kërcënuar se do mbyllte vendin derisa Netanyahu të pranonte një marrëveshje me Hamasin për të kthyer robërit e mbetur. Familjet e pengjeve kanë akuzuar prej muajsh Netanyahun se i ka dhënë përparësi mbijetesës së tij politike dhe fitores kundër Hamasit mbi një marrëveshje që do t’i sillte të dashurit e tyre në shtëpi.
Ambasada izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të dielën.
Dennis Ross, një ish i dërguar amerikan në Izrael, tha se udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yehiya Sinëar, nuk ka gjasa të ndryshojë pozicionin e tij sepse askush nuk është në gjendje të ushtrojë presion mbi të, por se mbetet për t’u parë nëse presioni brenda Izraelit mund ta detyrojë Netanyahun për t’u angazhuar më seriozisht në negociata.
“Për momentin, Sinëar do presë për të parë nëse greva e përgjithshme në Izrael do çojë në një zbutje të kushteve të kryeministrit Netanyahu,” tha Ross në një intervistë.
“Greva, protesta masive e mundshme, është në mbështetje të familjeve të pengjeve dhe pikëpamjes së tyre se strategjia e Netanyahut si në negociata ashtu edhe në rritjen e presionit të IDF ndaj Hamasit ka dështuar.”
Hamasi, në një deklaratë, fajësoi bombardimet izraelite për vdekjet, duke shtuar se “nëse presidenti Joe Biden është i shqetësuar për jetën e tyre, ai duhet të ndalojë mbështetjen e këtij armiku me para dhe armë dhe të bëjë presion mbi pushtuesi që t’i japin fund agresionit të tij menjëherë”.