Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e banorëve të Thumanës, Bardhi thirrje Ballukut: Jepi zgjidhje shqetësimit të qytetarëve


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në Kuvend gjatë nisjes së sesionit të ri parlamentar, u ndal te protesta e banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës, të cilët janë mbledhur para godinës së Parlamentit.

Bardhi theksoi se këta banorë po kërkojnë një hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar dhe i bëri thirrje ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, që t’i dëgjojë dhe t’u japë zgjidhje kërkesave të tyre.

Ai gjithashtu i kërkoi ministrit të Brendshëm që të mos dërgojë forca policore për të shtypur protestën, duke e cilësuar si të padrejtë ndërhyrjen policore ndaj qytetarëve të zonës.

“U ndalëm të takonim banorët e bashkisë së Krujës, pasi zëri i tyre nuk dëgjohet as nga mazhoranca as nga qeveria, kërkesa e tyre është sa e thjeshtë dhe aq jo-impeniative.

Rruga të duket sikur po ecën në det, për shkak të cilësisë së rrugës. Po ata nuk protestojë për cilësinë. Kanë një kërkesë minimale.

Kërkojnë hyrje dalje në rrugë kombëtare dhe është minimaliste, që kërkon thjesht dashamirësi për të dëgjuar zërin e kërkesave të drejta. Zonja ministre të kërkoj që t’i dëgjosh pas seancës, meqë nuk i prisni në institucione, dhe t’u japësh zgjidhje.

Nuk është zgjidhje, zoti ministër i Brendshëm, të dërgosh armata, është turp që harxhon burime njerëzore për të shtypur protestën e grave, vajzave, burrave të asaj zone. Jepini zgjidhje”, tha Bardhi.