Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali drejtuar opozitës: Merrni vendin dhe përgjegjësitë tuaja në komisionet e posaçme


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë hapjes së sesionit të ri parlamentar, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për të rritur besimin e qytetarëve. Ajo ftoi opozitën të marrë pjesë në komisionet hetimore parlamentare, duke theksuar se bashkëpunimi është kyç për avancimin e reformave dhe për të shmangur kthimin mbrapa. 

Spiropali nënvizoi se do të vijojë puna për komisionet e posaçme dhe shqyrtimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të jetë një nga prioritetet kryesore të Kuvendit. Ajo theksoi rëndësinë e rritjes së përgjegjshmërisë, transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare, sidomos nga opozita. 

“Do të vijojnë punën dy komisionet e posaçme, qëllimi i të cilëve është avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa. 

Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve. 

Pozitive të bashkëpunojmë për komisionet hetimore, sepse bashkarisht duhet të zbulojmë gabimet e punës së institucioneve dhe të nxjerrim përgjegjësitë. 

Opozita të marrë vendin dhe përgjegjësitë e saj në këto komisione të posaçme. 

Të provojmë se jemi ligjvënës të denjë, bashkëndërtues të institucioneve dhe bashkëmbrojtës të vlerave demokratike 

Të shndërrojmë Kuvendin në një hapësirë lirie, por edhe në arenën e një ushtrimi të vështirë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie 

Shqyrtimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të jetë një ndër prioritetet e Kuvendit gjatë këtij sesioni. 

Rritja e përgjegjshmërisë, produktivitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit përpara qytetarëve do të jenë prioritet i Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni. 

Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar, sidomos nga opozita, do të jenë një prioritet i Kuvendit’’, tha Spiropali.