Vendosni fjalën kyçe....

Të gjithë kundër AfD-së, ekonomia dhe emigracioni po shkaktojnë ndryshime tektonike politike në Gjermani


Një mur i ngritur për të frenuar Alternativën për Gjermaninë nga marrja e pushtetit dukej se po qëndronte në këmbë edhe pasi partia e ekstremit të djathtë fitoi zgjedhjet rajonale të së dielës në Tyringen dhe doli e dyta në Saksoninë fqinje.

AfD, e klasifikuar nga shërbimet e sigurisë si parti e ekstremit të djathtë në dy shtetet, mori 32.8% të votave në Tyringen, sipas rezultateve paraprake. Ky ishte triumfi i parë për një parti të ekstremit të djathtë në një votim shtetëror gjerman që nga Lufta e Dytë Botërore.

Partitë e tjera në parlamentin rajonal kanë thënë se nuk do bashkohen me një koalicion me AfD, që do të thotë se Kristian Demokratët e vendit të dytë – të cilët fituan në Saksoni – kanë më shumë gjasa të udhëheqin administratën e ardhshme në kryeqytetin e shtetit, Erfurt.

Rezultati i zgjedhjeve në dy shtetet lindore të Gjermanisë përfaqësoi një tjetër dobësim për socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz dhe dy partnerët e tij në koalicionin qeverisës thellësisht jopopullor në Berlin – të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë.

Me pak më shumë se një vit deri në zgjedhjet e ardhshme kombëtare të planifikuara, ata morën më pak se 15% mes tyre në secilin prej dy shteteve. FDP nuk ishte afër pragut prej 5% për të hyrë në parlamentin rajonal dhe të Gjelbrit nuk ia dolën në Tyringen.

Koalicioni qeverisës ka dështuar të “prodhojë besimin midis njerëzve dhe mbi të gjitha, besimin se ne mund të zbatojmë atë që premtojmë”, tha Saskia Esken, një bashkëdrejtuese e SPD së Scholz-it, në një intervistë me median publike Phoenix.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë fushatë edhe më shumë, të shpjegojmë gjërat dhe të dalim atje në fushëbetejë.”

Me ekonominë e Gjermanisë në vendnumëro dhe emigrimin një shqetësim kryesor midis votuesve, mbështetja mbarëkombëtare për tre partitë në pushtet ka rënë në nivele rekord. Partitë populiste të ekstremit të djathtë dhe të majtë morën më shumë se 60% të votave në Tyringen dhe pothuajse gjysmën në Saksoni, duke vënë në dukje shkatërrimin e qendrës politike të Gjermanisë në disa pjesë të vendit.

Mbështetja kombëtare për aleancën konservatore CDU/CSU është rreth 32% – afërsisht e njëjtë me SPD, të Gjelbrit dhe FDP së bashku – dhe AfD është në vendin e dytë me rreth 18%.

Goditja për partitë në pushtet nxiti pretendime të reja nga partitë opozitare se qeveria është një forcë e konsumuar si dhe thirrje të ripërtërirë për zgjedhje të parakohshme. Mund të nxisë gjithashtu debatin nëse Scholz duhet të jetë kandidati për kancelar socialdemokrat.

Me qeverinë në gjendje të vështirë, optimizmi se Gjermania do rikthehej në vitin 2024 nga dy vjet rritje ekonomike pothuajse zero është zbehur. Një rritje e parashikuar në shpenzimet konsumatore nuk u materializua dhe sektori industrial i vendit ka ende prpbleme.

Grindjet brenda koalicionit qeverisës mbi mënyrën se si të trajtohen sfidat me të cilat përballet ekonomia e tretë më e madhe në botë, me sa duket pa qenë në gjendje të ofrojë zgjidhje efektive, ka nxitur zhgënjimin me tre partitë qeverisëse.

Ata ka të ngjarë të pësojnë një tjetër çarje në një votim shtetëror në tre javë në Brandenburg – rajoni që rrethon kryeqytetin Berlin dhe është zona elektorale e Scholz-it në Potsdam.

Paaraqitja e fortë e CDU-së të dielën mund të ushqejë vendimin e tyre për një kandidat konservator për kancelar. Udhëheqësi i partisë, Friedrich Merz, duket se ka të ngjarë të sigurojë emërimin dhe ka marrë mbështetjen nga kryeministri i CDU-së i Hessen, Boris Rhein.

“CDU është shumë e fortë në Saksoni dhe politika konstruktive gjithashtu nuk është e mundur në Tyringen pa ne,” u citua të thoshte Rhein të hënën nga grupi mediatik Funke.

“Ky është padyshim një sukses edhe për kryetarin tonë federal Friedrich Merz.”

Një numër kandidatësh të tjerë nuk mund të përjashtohen ende, duke përfshirë kryeministrin e Nord Rajn Vestfalen Hendrik Wuest dhe kryeministrin e Bavarisë Markus Soeder, i cili drejton Unionin Kristian Social, partinë simotër të CDU-së në rajonin jugor.

Merz ka thënë se CDU dhe CSU do të vendosin për kandidatin e tyre të përbashkët pas votimit në Brandenburg. Zgjedhjet përfundimtare shtetërore përpara zgjedhjeve të ardhshme kombëtare janë në fillim të marsit në Hamburg, qyteti port ku Scholz dikur ishte kryetar bashkie dhe SPD e tij sundon në koalicion me të Gjelbërit.

Në zgjedhjet e së dielës, një parti e re e ekstremit të majtë, “Bundnis Sahra Wagenknecht” (BSW), fitoi 15.8% në Tyringen dhe 11.8% në Saksoni, sipas rezultateve paraprake.

E themeluar vetëm në janar pas ndarjes së Ëagenknecht nga partia e Majtë, ka të ngjarë të luajë një rol kyç në mbajtjen e AfD-së jashtë pushtetit në Tyringen. Ashtu si partia e ekstremit të djathtë, BSW dëshiron të frenojë emigracionin dhe të ndalojë ndihmën për Ukrainën.

Me pak perspektivë për të qqenë fituese si AfD-ja në nivel kombëtar tani për tani, ndikimi duhet të kufizohet nga votat e shtetit në tregjet financiare, të cilat nuk u qetësuan nga rritja e fundit e popullaritetit të partive ekstreme në Francë. Indeksi DAX i Gjermanisë arriti një rekord të lartë javën e kaluar, duke kaluar kulmin e tij të mëparshëm më 15 maj.

VINI RE: Ky material shtë pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani