Në Gjermani, prodhuesi i makinave Volkswagen po konsideron mbylljen e fabrikave në tregun e tij të brendshëm, një veprim i paparë më parë në historinë e tij, si pjesë e përpjekjeve për të ulur kostot.
Kompania thotë se nuk mund të përjashtojë më mbylljen e impianteve në Gjermani.
Sipas Bloomberg, Volkswagen po shqyrton gjithashtu ndryshimin e marrëveshjes me sindikatat për të shmangur çdo shkurtim të vendeve të punës deri në vitin 2029.
Oliver Blume, drejtori ekzekutiv i VW, tha në një deklaratë se tregu po bëhej “më i vështirë”.
“Mjedisi ekonomik është bërë edhe më i ashpër dhe lojtarë të rinj po hyjnë në Evropë. Gjermania si një vend për biznes po bie gjithnjë e më shumë pas për sa i përket konkurrencës.”
Daniela Cavallo, kryetarja e këshillit që përfaqëson punëtorët e VW-së, u ka thënë punonjësve se VW po konsideron mbylljen e fabrikave në Gjermani dhe shkurtimin e vendeve të punës.
Në një shënim të shpërndarë për punonjësit, i raportuar nga Financial Times, Cavallo shpjegoi se Thomas Schäfer, drejtori ekzekutiv i markës VW, të hënën “pranoi” se kursimet e planifikuara kishin dështuar.
Cavallo shtoi:
“Si rezultat, bordi ekzekutiv tani po vë në dyshim fabrikat gjermane, marrëveshjet e brendshme të pagave kolektive të VW dhe programin e sigurisë së vendeve të punës që do të zgjasë deri në fund të vitit 2029.”/The Guardian.