Shtetasi i Kosovës, që besohet se po transferonte para për operativët e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad në Turqi, u kap në një operacion të përbashkët nga inteligjenca turke dhe policia e Stambollit.
Burimet turke të sigurisë thanë të martën se Liridon Rexhepi, i identifikuar si menaxher i rrjetit financiar të Mossad në Turqi, u arrestua nga policia e Stambollit.
Rexhepi, një shtetas i Kosovës, po transferonte para te agjentët në terren të Mossad-it në Turqi, të cilët filmuan objektivat e Mossad-it me drone, drejtuan operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe grumbulluan informacione rreth Sirisë, thanë burimet.
Organizata Kombëtare e Inteligjencës Turke (MIT) e kapi Rexhepin pasi zbuloi parregullsi në llogaritë e tij financiare, të cilat treguan se ai po bënte depozita të panumërta për operativët e Mossad në Turqi përmes Ëestern Union.
Ai u vu nën mbikëqyrjen e MIT sapo hyri në Turqi më 25 gusht 2024 dhe u ndalua në Stamboll më 30 gusht në një operacion të përbashkët me policinë e Stambollit dhe u arrestua zyrtarisht të martën.
Burimet thanë se ai kishte rrëfyer gjatë marrjes në pyetje se ka kryer transfertat e parave.
Operacionet e MIT deri më tani kanë zbuluar se agjentët në terren të Mossad-it në Turqi lehtësojnë transaksionet e tyre të parave përmes vendeve të Evropës Lindore, veçanërisht Kosovës. Spiunët e Mossad-it gjithashtu transferojnë fondet që vijnë nga Kosova në burimet e tyre në Siri të cilat i paguajnë me kriptovaluta, thanë burimet.
Rexhepi është operativi i parë i profilit të lartë të Mossad-it i arrestuar në Turqi këtë vit, teksa rriti nivelin e operacioneve që synojnë anëtarët e dyshuar të Mossad brenda vendit.
Që nga janari, autoritetet turke kanë dënuar ose arrestuar dhe akuzuar dhjetëra njerëz të dyshuar për lidhje me Mossad-in e Izraelit, shumica e të cilëve ishin shtetas turq. Shtatë të dyshuar u arrestuan në janar, gjashtë persona u akuzuan në mars dhe dy të tjerë u arrestuan në prill.
Izraeli nuk ka komentuar për arrestimet në Turqi.
Ankaraja është e shqetësuar se Mossad po rekruton operativë në territorin turk për të synuar shtetas të huaj, me raportet e mediave që thonë se disa anëtarë të Hamasit ndodhen në vend. Turqia mban lidhje me lëvizjen Hamas dhe kundërshton klasifikimin e Hamasit si organizatë terroriste, ndryshe nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.
Në atë kohë, Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunç tha se shumica e të dyshuarve akuzoheshin për kryerjen e “spiunazhit politik ose ushtarak” në emër të inteligjencës izraelite.
Mossad thuhet se ka rekrutuar gjithashtu palestinezë dhe shtetas sirianë në Turqi si pjesë e një operacioni kundër të huajve që jetojnë në Turqi.
Pas arrestimeve të 2 janarit, Anadolu Agency (AA) citoi një dokument të prokurorisë që thoshte se operacioni kishte në shënjestër “shtetasit palestinezë dhe familjet e tyre brenda sferës së konfliktit të vazhdueshëm izraelito-palestinez”.
Turqia dhe Izraeli rifilluan marrëdhëniet e ngrira vitin e kaluar pas vitesh tensionesh për shkak të akteve të agresionit të Izraelit që synonin palestinezët. Megjithatë, lidhjet u përkeqësuan përsëri pas 7 tetorit, fillimi i raundit të ri të konfliktit Palestinë-Izrael. Ankaraja është një nga kritikët më të fortë të veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Kreu i agjencisë vendase të sigurisë izraelite Shin Bet tha në dhjetor se organizata e tij ishte e përgatitur të synonte Hamasin kudo, përfshirë Libanin, Turqinë dhe Katarin.
Udhëheqësit turq dhe izraelitë kanë shkëmbyer akuza publike që kur Izraeli nisi sulm kundër grupit palestinez pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Presidenti Erdogan paralajmëroi Izraelin për “pasoja serioze” nëse Izraeli vijon me kërcënimin e tij për të sulmuar zyrtarët e Hamasit në tokën turke.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Daily Sabah
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani