Vendosni fjalën kyçe....

Atentati në Don Bosko, drejtori i Policisë Tiranë: Janë sekuestruar 7 gëzhoja, kemi identifikuar targat


Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dhënë detaje të rëndësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zonën e Don Boskos, ku u qëllua me armë ndaj një lokali. Vocaj konfirmoi se në një makinë të djegur të gjetur në afërsi të Kamzës është zbuluar një armë zjarri dhe janë sekuestruar shtatë gëzhoja.

Policia ka identifikuar targat e mjetit, por Vocaj shtoi se numri i shasisë së makinës nuk përputhet me automjetin origjinal, duke ngritur dyshime për manipulim të saj. Hetimet janë intensifikuar dhe po kontrollohet i gjithë rajoni për të mbledhur prova nga kamerat e sigurisë.

“Kemi ngritur grup hetimor, për ta hetuar këtë ngjarje. Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonën, për kamerat e sigurisë. Në Kamzë është gjetur një makinë e djegur, janë identifikuar targat e makinës. Numri i shasisë së mjetit nuk përputhet me automjetin origjinal.

Vazhdojnë hetimet për këtë çështje. Janë sekuestruar 7 gëzhoja. Në makinë është gjetur një armë zjarri, që po ekzaminohet. Të plagosurit ishin në një tavolinë, kanë qenë duke pirë kafe në lokal. Autorët kanë hapur zjarr nga makina, ka shumë probabilitet që kanë qenë të maskuar”.