Vendosni fjalën kyçe....

“E shkëputur nga Berisha dhe pro SPAK-ut e SHBA-ve” – Alibeaj drejt krijimit të forcës së re: Basha nuk ia përqafoi nismën


Enkelejd Alibeaj ka vendosur të çojë para idenë e krijimit të partisë së re. Në një intervistë në ‘Report Tv’ në emisionin ‘Studio Live’, deputeti demokrat bëri të qartë disa nga ‘kushtet’ kryesore me të cilat grupimi i tij s’do bëjë kompromise.

Për deputetin demokrat, grupimi i ri politik duhet të mbështesë drejtësinë e re dhe kryesisht SPAK.

Për gazetarin Arbër Hitaj, Alibeaj tha se formacioni i ri politik duhet të konsideroj raportin me partnerët ndërkombëtar siç janë SHBA dhe BE.

Më tej Alibeaj nënvizoi se kushdo që do të jetë pjesë e këtij formacioni politik duhet të jetë i shkëputur qartësisht nga politika e vjetër dhe konkretisht nga PD e cila drejtohet nga Sali Berisha. Sipas Alibeajt, PD në duart e Berishës është një parti private dhe autokratike.

“Nuk ka kushte, por kushdo që merr ca sfida përsipër, sfida të jetë i qartë në raportin me drejtësinë. Sot për zhvillimin institucional dhe politik, s’duhet ta mohojmë që një nga shpresat e publikut shqiptar sot është SPAK. Ka një etje për të vendosur një sistem të ndëshkimit të korrupsionit politik të ndodhur në majat politik dhe qeverisëse. Duhet mbështetur kjo drejtësi. Mund të mos jetë perfektja por ka treguar me rezultatet të kënaqshme që po jep efekte në interes të publikut.

Elementi i dytë, është se kushdo që do të jetë më këtë parti, duhet të konsideroj se raportin me partnerët SHBA, Britani e Madhe, për qëndrimet politike, duhet të gjejnë rezonancë te ky grupim. Kushdo që do të dojë të jetë i përfaqësuar duhet të pranojë dhe sfidën se nëse do të ketë dëshirë të marrë pjesë në sfida elektorale të bie dakord që të prezantohet në një sistem me lista të hapura. Ajo që ndodhi në korrik ishte simptoma e politikës së vjetër.

Kushdo që ka dëshirë interes, duhet të jetë qartësisht i shkëputur nga politika e vjetër përfshirë edhe atë nga PD. Ajo parti ka rënë në duar private, administrohet në mënyrë private, autokratike dhe me problemet dhe hallet me drejtësinë që i pari i asaj partie ka nuk mund të përbëjë as ofertë as shpresë për qytetarët. Duhet që edhe në Shqipëri të kuptohet leksioni i madh i demokracisë. nuk janë kushte por sfida, është kohë sakrificash. Është rrugë jo e lehtë.’- u shpreh Alibeaj.

I pyetur nëse do të jetë Basha pjesë e këtij grupimi, Alibeaj pohoi se Basha nuk e ka përqafuar nismën e tij.

‘Ia kam kërkuar edhe publikisht kujtdo, jo vetëm Bashës. Kemi bërë betejë që PD mos të binte në duart e vjetra private të një individi. Kishim një sfidë të tregonim se për 3 vite ai qëndrim ai pozicion ishin të sinqerta, nuk ishte lojë, nuk ishte rendje thjesht pas vulës, ishte një përpjekje jona për të mbrojtur ato vlera bazike të PD-së lindur këtu e 33 vite më parë. Kjo parti lindi në kujdesinë  SHBA-së dhe nuk mund të lihej në duar të tilla. Në momentin që kjo shkoi në duart e Berishës, shumë njerëz i besuan dhe votuan në situata të vështira. Nuk mund të lihen vetëm më retorike… fjalët janë të mira të bukura. Unë nuk di alternativë tjetër si mund të përfaqësohet elektorati në zgjedhje. O të strehoheshe te partia e Berishës, unë nuk jam për këtë. Do të ishte hipokrizi të rrija në cep dhe të shoh si shkërmoqet ëndrra e demokratëve dhe të rri.

Ndarja është e thjeshtë mendoj se të përfaqësosh sot shqiptarët demokratë, përfaqësimi bëhet duke u dhënë atyre një set vlerash dhe një entitet juridik. S’jam për mënyrën si e administron partinë Berisha ka hapësirë për zëra ndryshe. Nuk është oferta politike që shqiptarët duan është e vjetra. Në politikë nuk mund të jetë gjithmonë i njëjti përfaqësues. Jam i bindur që është më e ndershme që Berisha me të vetët janë një grupim, nuk me lidh asgjë me ta… zgjidhja logjike dhe morale mu duk jo. Një pjesë deputetësh e kanë përqafuar, Basha jo. Basha e ka bërë të qartë.’- tha Alibeaj.

Alibeaj nënvizoi po ashtu se janë në përpjekje për të krijuar një grup parlamentar brenda Kuvendit.

‘Është e nevojshme të ndodhë jo vetëm përfaqësimi i njerëzve, por edhe duhet përcjellë qëndrimi i tyre deri tani. Jemi në përpjekje për të krijuar një bashkësi kolegë deputetë, si një grupim jashtë PD-së, për të bërë pse jo edhe një pol politik në Kuvend.’- tha Alibeaj.