Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ka vënë në dukje përparimin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj për integrimin evropian gjatë Forumit Strategjik të Bledit. Gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin me temë “Evropa e plotë dhe e lirë:
Një angazhim i ripërtërirë për sigurinë evropiane,” Ministri Hasani theksoi rëndësinë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj procesit të integrimit dhe stabilitetit në Evropë.
“Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria nuk ka bërë thjesht përparim, Shqipëria ka bërë një përparim të madh që është konkret, i matshëm dhe real, dhe pranohet si i tillë”, tha ai.
Ministri Hasani gjithashtu theksoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar me zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi se integrimi në BE është rruga e vetme e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor, duke siguruar transformimin dhe ruajtjen e një Evrope të bashkuar.
“Të dyja, Bashkimi Evropian edhe Ballkani Perëndimor duhet të angazhohen në kohë për reforma dhe strategjitë inovative të integrimit. Ne kemi metodat dhe mjetet. Tani kemi nevojë për vendime të shpejta politike” theksoi Ministri Igli Hasani.
Ministri Hasani përgëzoi homologen sllovene, Tanja Fajon, për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm në trajtimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal.